Transmetuar më 19-06-2019, 13:29

Pas tensioneve dhe situatës në Kukës ku zyrtarë të Bashkisë dhe militantë të PD-së, dogjën e shkatërruan KZAZ-në numër 11 të vendosur në një palestër, policia e Rendit pas një marrëveshje me policinë bashkiake, kanë larguar materialet zgjedhore pa dhunë duke i transportuar me një furgon të policisë.

Në Kukës pati situatë mjaft të dhunshme, ku militantët dogjën gomat para KZAZ, shqyen derën e saj duke e tërhequr me kavo me kamionçinë dhe qëlluan me gurë ndaj efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodheshin brenda KZAZ-së për ruajtjen e materialeve zgjedhore.

Mësohet se situata është tensionuar së tepërmi, duke bërë që Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të përdornin gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Lidhur me situatën më herët ka reaguar dhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehi, i cili i ka kërkuar policisë të mbështesë bashkinë, ndërsa iu ka bërë thirrje qytetarëve të vetëpërmbahen.

“Nuk mund të ketë zgjedhje pa dekret të presidentit dhe çdo veprimtari që po zhvillohet pas dekretit është e paligjshme. Kam kërkuar lirimin e ambienteve. Kërkoj nga policia zbatimin e ligjit dhe mbështetjen e bashkisë. U bëj thirrje qytetarëve për vetëpëmbajtje. Situata është e acaruar”, ka deklaruar Shehi./b.l/noa.al/