Rikonstruktohet një tjetër godinë, Rama: Mandatin tjetër ndërtojmë Kampusin Universitar
Transmetuar më 19-06-2019, 13:48

Në përmbushje të “Paktit për Universitetin”, Bashkia e Tiranës, e ndihmuar edhe nga TIKA, përfundoi rikonstruksioni e plotë të konviktit nr. 6 në “Qytetin Studenti”, me kushte më të mira për studentët. Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij theksoi se ky 4 vjeçar do të jetë historik për arsimin e lartë, ndërsa theksoi se brenda mandatit të dytë të kryebashkiakut Veliaj do të ndërtohet Kampusi i ri Universitar.

“Ideja është të përfundojmë gjitha rikonstruksionet e godinave ekzistuese, ndërkohë që po përgatitet, mes Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë, projekti i Kampusit. Siç e kemi thënë, në mandatin e dytë të Lalit do të ndërtohet Kampusi. Ata që janë në vit të parë ose do të vijnë në vit të parë, do ta shikojnë këtë transformim. Është një investim goxha i madh. Paralelisht kemi filluar me konviktet jashtë Tiranës, besojmë se shumë shpejt do të fillojë puna. Ky do të jetë një katërvjeçar historik për arsimin e lartë, pas tre vitesh do të jemi në një situatë komplet tjetër. Do të kemi standard në infrastrukturë, laboratorë, totalisht ndryshe”, u shpreh Rama.

Teksa vlerësoi se është bërë punë e konsiderueshme, kreu i qeverisë tha se rikonstruksioni i këtij konvikti është vetëm një shembull pozitiv i ndryshimit. “Është e vërtetë që kemi bërë gjëra, po gjërat që duhen bërë janë shumë më tepër se ato që kemi bërë dhe për fat të keq, për shumë vite nuk u bënë, dhe tani jemi në një garë të madhe me kohën dhe me pritshmëritë e njerëzve, edhe me shumë sfida të tjera.

Plus që nuk është se e kemi rrugën të hapur sepse kemi këta xhagajdurët e dalë nga filxhani dhe bëjnë këtë xhindin nëpër rrugë, por gjërat do shkojnë në vendin e tyre dhe duhet durim. Kjo është ajo që duhet se është një mall që nuk gjendet në Shqipëri, megjithatë duhet bërë çmos që ta gjejmë dhe të pajisemi me pak durim. Edhe ky konvikt është një shembull i asaj që thashë, një shembull pozitiv si do bëhen të tjerat. Pasqyrën se si mund të jetë e ardhmja e kemi përpara dhe mund ta shohim. Të ardhmen do ta bëjmë si pasqyra”, deklaroi ai.

Loading...
Loading...