Transmetuar më 19-06-2019, 14:40

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla deklaron se gjykata ka rrëzuar poshtë kallëzimin e bërë nga Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha për të. Në një prononcim pas vendimit të gjykatës, Balla tha se në vendimin e arsyetuar të gjykatës konfirmohet se Shkëlzen Berisha ka kryer evazion fiskal.

“Gjykata vendosi të rrëzojë poshtë kallëzimin e bërë nga i biri i Berishës. Shkëlqen Berisha ka kryer evazion fiskal gjatë kohës që babai i tij ishte në detyrë. Sot kemi fituar një betejë.

Dua të ndaj me ju një lajm tjetër të triumfit të drejtësisë lidhur me një rast të rëndësishëm që qartëson edhe arsyet se pse Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi janë turrur për të penguar sistemin e drejtësisë në Shqipëri, sepse gjykata sapo vendosi që të rrëzojë poshtë një kallëzim të bërë nga i biri i Sali Berishës dhe do i kërkoja gazetarëve publikut, të lexojë këtë vendim të arsyetuar të gjykatës ku konfirmohet që Shkëlzen Berisha ka kryer evazion fiskal dhe nuk ka kryer detyrimet tatimore të fitimeve marramendëse.

Nuk janë përgjime, por prova kuptimplota se si funksiononte regjimi aso ko0he dhe se si pasurohej në kurriz të shqiptarëve. Sot kemi fituar një betejë tjetër. Prokuroria të vijojë dhe të mbyllë hetimet për skandalin më të rëndë në Shqipëri, dosjes ÇEZ. Kush mendon se në këtë vend do ti shpëtojë drejtësisë e ka gabim”, deklaroi Balla.

Nga ana e tij djali i ish-kryeministrit Sali Berisha në një prononcim për mediat pas daljes nga Gjykata deklaroi se “Taulant Balla vazhdoi të shpifte. Nuk është aspak e vërtetë se gjykata arriti në konkluzionin se Shkëlzen Berisha ka detyrime ndaj tatimeve”.

Shkëlzen Berisha tha se gjykatësja ka dashur të lajë duart për shkak të presionit politik të organizatës kriminale në pushtet.

“Gjykata çmoi se nuk ka tagrin për të vërtetuar nëse pretendimet e zotit Balla ishin ose jo të vërteta. Kjo është qesharake sepse institucioni që ka tagrin ta bëjë këtë është zyra e tatim-taksave. Përderisa Shkëlzen Berisha nuk ka asnjë detyrim në zyrën e tatim-taksave, gjë që është fakt publik, gjykatësja ka dashur të lajë duart për shkak të presionit politik të organizatës kriminale në pushtet. Organizata kriminale e Rilindjes i ka vënë këmbën në fyt drejtësisë”, deklaroi Shkëlzen Berisha.

Ai paralajmëroi se do të ankimojë vendimin deri sa të marrë drejtësi. “Unë sigurisht do i shkoj deri në fund. Kjo betejë do të vazhdojë në gjykatë të Apelit dhe më tutje. Kur njerëzit duhet të akuzohen për trafik droge, për bashkëpunim me një organizatë kriminale, akuza për shpifje kuptohet se janë gjëja më e thjeshtë”, tha ai./b.l/noa.al/