Kushtetuta: Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit
Transmetuar më 20-06-2019, 14:09

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ndalon kategorikisht autoritetet shqiptare që të ndalojnë lëvizjen e lirë jashtë vendit të shtetasve të saj.

Një gjë e tillë është e sanksionuar me Kushtetutë që siç dihet është ligji më i lartë për zbatim në Shqipëri.

nenin 38 paragrafi 2 të Kushtetutës shprehimisht shkruhet: “Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit”.

Në këtë mënyrë, çdo përpjekje për të ndaluar shqiptarët të dalin jashtë vendit është e paligjshme, pohojnë ekspertët.

Juristi Ylli Manjani, ish ministër i Drejtësisë, duke komentuar draftin qeveritar që po kalon sot në Parlament, ku kërkohet sanksionimi i ndalimit 5 deri 10 vjet i daljes së shtetasve shqiptarë nga Shqipëria nëse përfshihen në pengim të proceseve zgjedhore, thotë se një gjë e tillë është ligjërisht e ndaluar dhe politikisht, diktatoriale.

“Kërcënimi diktatorial se me ligj nuk do lejohet largimi jashtë shteti, nuk pi ujë sipas Kushtetutës ende në fuqi të Republikës. Shiheni nenin 38.2 të saj. Askush e as ligji nuk mund të ndalojnë lëvizjen e lirë jashtë shteti”, – evidenton z.Manjani dhe shton:

“Populli shqiptar ka rënë dakord me këtë Kushtetutë, pikërisht për t’u mbrojtur nga qeveri të qorrollepsura si kjo e sotmja”.

Një qarkore e ministrisë së Brendshme, në kundërshtim me ligjin, po zbatohet në vendkalimet kufitare

Që prej muajit gusht 2017, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri firmosi një udhëzim për përdorim të brendshëm, raporton noa.al duke evidentuar pohime të zyrtarëve të MB dhe Policisë së Shtetit.

Në udhëzim i cili iu shpërnda për zbatim të gjitha vendkalimeve kufitare tokësore, ajrore dhe detare në vend, urdhërohej ndalimi i daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë i çdo individi i cili në të kaluarën e tij rezulton me masë dëbimi qoftë administrative apo penale.

Udhëzimi që vazhdon të jetë në fuqi dhe të zbatohet në mënyrë të paligjshme, përcakton se qytetarët të cilët janë deportuar në Shqipëri nga autoritetet e vendeve të tjera, futen automatikisht në një listë të zezë të kontrolluar nga ministria e Brendshme shqiptare.

Kur qytetarët i drejtohen pikave kufitare, në sistemin TIMS të vlefshëm vetëm brenda Shqipërisë, janë regjistruar gjithë shtetasit shqiptarë të deportuar. Ata nuk lejohen të dalin nga Shqipëria.

Ky udhëzim ka ngjallur dyshime të forta për ligjshmërinë e tij. Disa qytetarë janë ankuar se janë dëbuar ose kanë pasur ndalim hyrjeje për një periudhë të caktuar kohore vetëm në një vend të BE. Në këto kushte ndalimi i daljes së tyre nga vendi për të shkuar në shtetet fqinje apo gjetkë, por jo në atë ku janë deportuar, konsiderohet abuziv dhe antikushtetues.

Për më tepër, këta qytetarë kanë treguar se në vendet fqinje dhe të BE përjashtuar shtetin nga ku janë deportuar, kanë kaluar lirisht pasi nuk rezultojnë me një penalitet të tillë. E për ta provuar këtë fakt, këta qytetarë pohojnë se kanë kaluar nga kufijtë shqiptarë pasi kanë paguar ryshfet.

Paligjshmërinë e udhëzimit e pranojnë dhe zyrtarët e ministrisë së Brendshme. Të pyetur nga noa.al, zyrtarë të kufirit si dhe drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë pranuar se udhëzimi është i paligjshëm, por kanë shtuar se ai është hedhur për zbatim pa afat, për të frenuar kërkesat për azil.

Si një udhëzim po tentohet të zgjerohet në ligj

Në këtë pikë, lind dyshimi se paralajmërimi i Edi Ramës lidhet pikërisht me këtë udhëzim. Shtetasit që mund të përfshihen në pengim zgjedhjesh do të procedohen penalisht dhe pasi të kenë marrë këtë damkë, do të listohen në një tjetër listë të zezë e cila do t’i bashkëngjitet udhëzimit të radhës për zbatim në vendkalimet kufitare. /a.b/noa.al/

Loading...
Loading...