Transmetuar më 24-06-2019, 23:48

Teuta është një nga 4 skuadrat e Shqipërisë që ka fituar të drejtën e pjesëmarrjes në veprimtaritë kontinentale të klubeve sezonin e ardhshëm.

Shorti i turit të parë eliminator të Ligës së Evropës i ka vendosur durrsakët përballë letonezëve të Ventspilsit.

Për këtë qëllim, skuadra durrsake është zhvendosur në Bansko të Bullgarisë, ku po stërvitet intensivisht për dy përballjet evropiane, ndërsa paralelisht po punon për përforcimin e skuadrës me lojtarë të rinj.

Një i tillë është prezantuar të hënën pasdreke në mjediset e klubit durrsak. Bëhet fjalë sulmuesin malazez, Darko Nikaç, i cili u prezantua nga drejtuesi i klubit të Teutës, Ardian Bardhi.

28-vjeçari nga Podgorica e Malit të Zi, luante që nga janari i këtij viti, me Iskran në kampionatin e vendit të tij, teksa në 17 takime, ka shënuar plot 12 gola.

Më parë, sulmuesi 1.85 metra i gjatë, ka luajtur edhe me ekipe si Podgorica, Mlladosti, MTK Budapest, Pune në Indi, apo Navbahori në Uzbekistan.

Pozicioni i Nikaçit është në majë të sulmit, dhe bashkë me Tomislav Bushiç, shihen si dy lojtarët që do mbajnë peshën e ekipit të trajnerit Bledi Shkëmbit, për të gjetur rrugën e rrjetës në Kupat e Evropës, por edhe gjatë kampionatit.

Pas prezantimit, Nikaçi, që është përforcimi i 6-të i kësaj vere për durrsakët, pritet që të udhëtojë drejt Bullgarisë, aty ku edhe ekipi i Bledi Shkëmbit po kryen aktualisht fazën përgatitore, për ndeshjet eliminatore të Ligës së Evropës ndaj Ventspilsit.