Transmetuar më 26-06-2019, 07:36

Holanda ishte investitori më i madh i huaj në Shqipëri në tremujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave për fluksin e investimeve të huaja direkte të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Nga ky shtet në periudhën janar-mars janë investuar 77 milionë euro, me një rënie prej 11.4% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por në trefishim në krahasim me tremujorin e fundit 2018. Investitorët më të mëdhenj nga Holanda janë Statcraft (që ndonëse tashmë është norvegjez, Banka e regjistron si investim holandez) , që ka ndërtuar dy hidrocentrale në lumin e Devollit (Moglica dhe Banja) dhe Shell, i cili po kërkon për naftë në zonën e Shpiragut.

Për herë të parë që nga 2016-s, Zvicra nuk është më investitori kryesor. Flukset nga ky shtet, i cili regjistrohet si vendi kryesor nga vijnë investimet e gazsjellësit TAP ishin 67 milionë euro në tremujorin e parë 2019, me një rënie prej 37% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo tendencë reflekton faktin që gazsjellësi TAP është tashmë drejt përfundimit, teksa pritet të mbarojë tërësisht brenda 2019-s. TAP është investimi më i madh në vend, me një total prej rreth 1.5 miliardë eurosh, por më shumë se 90% e tij tashmë ka përfunduar.

Investitori i tretë më i madh në vend ishte Austria, me 25 milionë euro në tremujorin e parë, i ndjekur nga Turqia me 19 milionë euro.

Më pas renditet Italia, investimet nga e cila shënuan rritjen më të fortë në janar-,mars 2019 (me bazë vjetore), duke u shtuar me 15 milionë euro, nga negative, që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në rënie ishin investimet nga Franca (-55%) me bazë vjetore në tremujorin e parë, sërish efekt i TAp si rrjedhojë e ngadalësimit të aktivitetit të kompanisë Spiecapag, një nënkontraktor i TAP me origjinë franceze. Investimet franceze ishin 12 mln euro në tremujorin e parë.

Zvicra, investitori më i madh sipas stokut

Që prej tremujorit të fundit 2018, Zvicra ka kaluar si investitori më i madh në vend, sipas stokut, çka nënkupton që në total në vite, investimet nga ky shtet kanë arritur në 1.37 miliardë euro (deri në fund të marsit 2019). Investimet nga Zvicra u rritën me shpejtësi që nga tremujori i dytë 2016, kur filloi ndërtimi i gazsjellësit TAP, teksa ky është shteti ku gazsjellësi ka zyrat qendrore, ndonëse investimet bëhen nga një konglomerat vendesh. Aksionerët e TAP janë britanikja BP (20%); SOCAR (20%) nga Azerbajxhani;  Snam S.p.A. (20%) nga Italia; Fluxys (19%) nga Belgjika, Enagás (16%) nga Spanja dhe Axpo (5%) nga Zvicra, shkruan ‘monitor’.

Investitori i dytë më i madh në vite është Greqia, me një stok prej 1.14 miliardë eurosh, si rrjedhojë e investimeve në telekomunikacione dhe banka, por që prej disa vitesh janë në stanjacion.

Në vend të tretë është Holanda, me një stok prej 1.1 miliardë eurosh, i ndjekur nga Kanadaja me 976 milionë euro, Italia (693 milionë euro), Turqia (578 milionë euro).