Transmetuar më 27-06-2019, 00:04

Është përuruar sot anija e parë turistike për bregdetin e Adriatikut në Durrës.

Anija prej druri, është prodhuar në Shqipëri, me sipërmarrës shqiptarë por nën kujdesin e inxhinierëve turq.

Kjo anije druri do të lundrojë çdo ditë nga Mali i Robit deri në Kepin e Rodonit.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Ledion Lako tha të mërkurën, se nisi lundrimin anija turistike “Happy Regina”.

Ai shtoi se kjo anije, ka gjatësi 24 m dhe gjerësi 7 m, shpejtësi deri 7,5 nyje detare, dhe lundron çdo ditë nga Mali i Robit në drejtim të plazheve të ndryshme të Durrësit, duke ofruar shërbim të certifikuar për turistët.

Në këtë udhëtimi, përgjatë 50 miljeve të plazhit, udhëtarët do të mund të shohin plazhin e Durrësit, plazhin e Kallmit, Currilat, Porto Romanon, Kepin e Palit, Gjirin e Lalëzit, Kepin e Rodonit. Në këtë të fundit turistët do të ndalojnë për vizitë në kështjellën e Skënderbeut. Në Kepin e Rodonit do të mund të shijohet plazhi i virgjër për rreth 3 orë. Itinerari nis në 09.30 dhe përfundon në 17.00. Çmimi për person është 35 euro por nuk është e qartë nëse përfshin pije dhe ushqim apo vetëm transportin me këtë anije. Për moshat 4 deri 12 vjeç çmimi është 18 euro.