Transmetuar më 27-06-2019, 07:02

Tashmë është zbuluar plani i Serbisë për një “katastrofë humanitare” në veri të Kosovës. Dhe nëpër dyqanet e veriut të Mitrovicës vërehet mungesë e shumë artikujve me origjinë nga Serbia.

Mungon qumështi dhe pothuajse të gjitha nënproduktet e tij. E nga ana tjetër nuk gjenden as llojet e ndryshme të detergjenteve që vinin përmes Serbisë.

Nga dita e enjte e sotme, në veri do të mbyllen dyqanet markete, e gjitha kjo,  vetëm me qëllim që në prag të festës së Vidovdanit, më 28 qershor, kur shumë qytetarë nga Serbia vijnë në veriun e Kosovës, të pasqyrohet “gjendje e rëndë humanitare” e serbëve të veriut.

Që situata dhe gjithçka tjetër po sajohet, e dëshmon edhe një dokument që po qarkullon në komunat veriore që prej së martës, ku bëhet apel tek qytetarët që përkundër mungesave të artikujve, për asnjë çmim të mos blejnë mallra nga jugu dhe nga shqiptarët. Dokumentin që e ka siguruar KosovaPress është i shkruar në alfabetin cirilik dhe mban firmën e të ashtuquajturës “Shoqata e Afaristëve të Kosovës dhe Metohisë”.

Pjesëtarë të organizatës “Civilna zastita” do të qëndrojnë këto ditë afër urave të Ibrit për të vëzhguar nga afër situatën nëse dikush nga qytetarët serbë sjell mallra nga jugu në veri të Mitrovicës dhe më gjerë.

Përkthimi i tekstit të dokumentit

Të nderuar,

Duke marrë parasysh situatën më të re të krijuar në veri të Kosovës që në vete përmban vështirësi të shumta me të cilat shpesh po përballen afaristët të cilët janë ekspozuar presioneve të përditshme, arrestimeve, konfiskimit të kamionëve dhe mallrave, ju ftojmë në bashkim e unitet.

Në shenjë proteste për taksat që po aplikohen dhe në pamundësi të importimit të mallrave serbe në territorin e Kosovës, ftojmë të gjithë afaristët që për asnjë çmim të mos marrin mallra nga pjesa jugore e krahinës (nga shqiptarët) dhe në këtë mënyrë të dëshmojmë bashkimin dhe unitetin tonë me përshëndetjen "se nga këtu nuk ka kthim prapa”.

Me respekt, Shoqata e afaristëve të Kosovës dhe Metohisë.