Transmetuar më 30-06-2019, 10:30
Brizida Gjikondi

Brigit Berg Khoshnavaz thotë me ironi që “zgjedhësit cdo 4 vjet bëjnë kryqin e tyre (tek subjekti që zgjedhin) pastaj ju duhet ta mbajnë këtë kryq mbi shpinë”.

Ndërkohë unë me vetëdije kam zgjedhur t’i jap një kryq të madh gjithë fletës së votimit, dhe pikërisht këtë kryq të dukshëm ndaj kësaj kaste politike të kalbur dhe këtij sistemi antikombëtar zgjedhor, jam e gatshme ta mbaj me durim mbi shpinë siç kam vite që e mbaj, por të paktën unë u përballa. Mospjesëmarrja në votim, nuk e cënon absolutisht ligjshmërinë e procesit zgjedhor, edhe 3 shqiptarë të vetëm të shkojnë të votojnë ky proces quhet i ligjshëm. E njëjta gjë është në Itali Francë, Gjermani etj., vetëm Maqedonia e Veriut e ka të domosdoshme përqindjen e pjesmarrjes për të legjitimuar procesin. Mospjesëmarrja në votim, nuk përbën statistikë, as impakt, as ndikim dhe as revolucion në këtë amok korruptiv që ka bllokuar zhvillimin e Shqipërisë.

Sipas Kodit Zgjedhor shqiptar vetëm për referendumet duhet përqindja e pjesëmarrjes që ta bëjë të vlefshëm procesin zgjedhor.

Por në Shqipërinë e kësaj epoke po ndodh një tragjikomedi fatale, votimi me opinione në rrjetet sociale po kërkon të zëvëndësojë votimin kushtetues (këtu e kam fjalën dhe për anulimin me kryq të votës), ndërkohë që dihet që votimi virtual nuk sjell asnjë pasojë për mirë a për keq ndër jetët e shqiptarëve, përkundrazi, shton qaramanët e sipërfaqshëm dhe heronjtë e tastierës që kurrë nuk i dhanë fytyrë. zë dhe paanësi ekzistencës, rebelizmit dhe ardhmërisë së tyre.

Vota është thika ime shkruan David Lloyd George, dhe unë jam totalisht dakord me të, jam dakord sepse unë këtë sistem hipokrit nuk e vras me heshtje vdektarësh oportunistë që hanë bukë në cdo krah, as duke u zhytur në det, as duke ngrënë fara ose duke mallkuar në monologje harrese, unë këtë sistem që më ka vrarë nga shumë jo nga pak cdo ditë dhe shpresë të jetës time e vras me prezencë, me kurajo me përballje duke i vënë një kryq mu në zemrën e sistemit, në votën e tij. Ky sistem i kalbur vlerash ekziston dhe është fuqizuar falë të heshturve.. pasi sic thotë Gramshi.. “Indiferenca vepron fuqishëm në histori, vepron në mënyrë pasive por vepron, ajo që vjen nuk ndodh sepse shumica duan që të ndodh por sepse shumica janë indiferentë” .

Shqipëria tani ka nevojë për pozicionime të qarta, largpamëse, sidomos largpamëse, pavarësisht interesave të ngushta të mbijetesës personale, është qorr kush nuk e sheh dritën që vjen nga perëndimi dhe është shurdh kush nuk dëgjon këngën e fundit të mjellmës në gojën e politikës shqiptare.

Unë votoj Jo, që vota ime mos humb, unë votoj JO sepse ekzistoj, unë votoj Jo pasi unë e neveris këtë klasë politike por ama nuk e kam frikë. Unë votoj sepse kam shpresë, sepse linda dhe do vdes me dëshirë këtu.

Pavarësisht histerisë që ka përfshirë jo më kot klasën politike shqiptare e cila me dashje dhe në bashkëpunim e solli situatën këtu ku është sot dhe pavrësisht se thirrjet e saj janë mirëfilltazi vepër penale që dënohen deri në dy vjet burg, unë jam e bindur se shqiptarët e kuptojnë që kjo që po shkruhet këto ditë të nxehta vere është shume më shumë se një votim i cunguar, se një kandidaturë e munguar… ata e ndjejnë se mbas 30 qershorit gjërat do jenë totalisht ndryshe, Kushtetuta, Ligji Zgjedhor, Parlamenti dhe Qeverisja sidomos, më keq sdo jenë, më keq se kaq nuk ka, më mirë po. Dhe do vijë ai moment që populli nuk do votoj kë e drogon me dhunë dhe me propagandë por atë që kujdeset realisht për të. Dhe në këtë rrugëtim unë isha, qoftë dhe minimalisht, por isha.

E di që shkrimin se kam gjë.. po të paktën lashë shenjë në këtë histori.. jo fjalë…