Transmetuar më 01-07-2019, 19:54

Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e ka pranuar kërkesën e Presidentit Thaçi për vendimin mbi shfrytëzimin e tokave nga komunat në Veri të vendit.

Thaçi kërkoi nga Kushtetuesja përgjigje në pyetjet se a duhet Qeveria të anulojë vendimet për bartjen e pronës së paluajtshme të Kosovës për shfrytëzim tek komunat, në mungesë të bazës ligjore dhe a duhet qeveria t’i rishikojë vendimet që kanë të bëjnë me tërheqjen nga procesi i privatizimit të pronave.

Jo vetëm kaq, por edhe kthimin e tyre në pronësi të komunave si dhe të respektoj procedurat sipas ligjit në fuqi për këtë çështje.

Si përfundim, Kushtetuesja ka bërë të ditur se kërkesa e Presidentit shpallet e papranueshme për shqyrtim në merita sepse gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës ndonëse është palë e autorizuar që të ngritë çështje të konfliktit të kompetencave mes tij dhe Qeverisë, nuk e ka dëshmuar që çështja e ngritur ndërlidhet me kompetencat e tij kushtetuese të parapara me Kushtetutë. /k.k/noa.al/