Transmetuar më 05-07-2019, 07:27

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se këtë vit aktiviteti ekonomik në Shqipëri pritet të ngadalësohet.

Shkak sipas FMN është rënia e prodhimit të energjisë.

Bordi Ekzekutiv i Fondit i cili ka përfunduar shqyrtimin e dytë të Programit të Monitorimit për Shqipërinë dhe në raportin shoqërues thekson:

“Në vitin 2019, rritja pritet të ngadalësohet në 3.5 për qind, për shkak të rënies së prodhimit të energjisë që kulmoi në 2018-n dhe ngadalësimit ekonomik në vendet partnere kryesore të Shqipërisë.

Në periudhën afatmesme, rritja e PBB-së parashikohet të konvergojë në nivelin e mundshëm prej 4 për qind, pasi aktiviteti pritet të nxitet nga rimëkëmbja e BE-së, rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës, forcimi gradual i eksporteve përfshirë turizmin dhe investimet e nevojshme për të mbyllur hendekun e madh të infrastrukturës në Shqipëri".

Veç energjisë, raporti i Fondit Monetar vë në dukje se Shqipëria mbetet e ekspozuar edhe ndaj disa rreziqeve të tjera. “ Si një ekonomi e vogël e hapur, me diversifikim të kufizuar ekonomik, Shqipëria mbetet e ekspozuar dukshëm ndaj rreziqeve të jashtme dhe të brendshme.

Vendi është veçanerisht i prekshem ndaj thatësirës, plakjes së popullsisë së kombinuar me emigrimin e vazhdueshëm të punëtorëve të kualifikuar dhe ndikimin nga rritja më e ulët në partnerët kryesore tregtare.”

Bordi ekzekutiv i FMN-së i sugjeron autoriteteve të rishikojnë propozimin ligjor per Korporatën e Investimeve. Ekspertët e Fondit Monetar rekomandojnë që Korporata e Investimeve të jetë subjekt i Ligjit të Prokurimit Publik.