Transmetuar më 05-07-2019, 13:14

Policia kërkon që gjatë sezonit veror lokalet e natës me muzikë live ose diskot të respektojnë orarët për të mos shqetësuar pushuesit. Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Gjovalin Loka tha se oraret janë deri në orën 23:00 gjatë javës dhe 24:00 në fundjavë.

“Nisur nga disa ankesa të ardhura në adresë të Policisë së Shtetit gjatë muajt Qershor 2019, për prishje të qetësisë së pushueseve si pasojë e muzikës së lartë që gjenerojnë lokale të ndryshme, jo vetëm në zonën bregdetare, por edhe në zona të tjera urbane, si dhe në zbatim të porosive të lëna në takimin e fundit nga Kryeministri i vendit dhe Ministri i Brendshëm, me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë, për reagim të menjëhershëm të Policisë së Shtetit lidhur me këtë, Policia e Shtetit ju bën thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojë biznes disko, lokale nate, apo me muzikë "LIVE", që të respektojnë në mënyrë rigoroze kufizimet e orareve dhe të ndotjes akustike në mjedis sipas përcaktimeve të bëra në aktet ligjorë që janë ora 23:00 në ditët e javës dhe ora 24:00 në fundjavë”, deklaron Loka.

Vendimi i Këshillit të Ministrave, urdhrat dhe udhëzimet e dala në bazë dhe për zbatim të tij, udhëzimi i fundit i Ministrit të Brendshëm për garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të qetë, detyron një sërë institucionesh të përfshira në Task – Forcën “Për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror 2019”, për bashkërendim të masave për garantimin e rendit, rritjen e parametrave të sigurisë publike dhe menaxhimin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane, zonat turistike dhe bregdetare.

Policia e Shtetit do të ushtrojë kontroll të pandërprerë dhe do të marrë masa të menjëhershme në funksion të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe pushuesit në zonat bregdetare e ato urbane, duke ndëshkuar sipas akteve ligjore në fuqi, çdo subjekt që gjeneron zhurmë tej normave të lejuara.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për të gjitha institucionet që kanë detyrime në kuadrin e Task – Forcës, që të ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore dhe të marrin masa të menjëhershme për disiplinimin e nivelit të zhurmave, duke iu përgjigjur në kohë shqetësimit të qytetarëve, në të kundërt do të merren masa jo vetëm ndaj subjekteve që krijojnë ndotje akustike, por dhe ndaj përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse, që nuk përmbushin detyrimet./b.l/noa.al/