Transmetuar më 10-07-2019, 12:19

Një person i shpallur në kërkim për trafik droge, është vënë në prangat e policisë së Shkodrës.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, mbrëmjen e kësaj të marte u bë kapja dhe ndalimi i 21-vjeçarit Emiljano Hysa, banues në Koplik, Malësi e Madhe.

Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Shkodër në 8 maj 2018, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, i dyshuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Dhuna në familje”.

I riu dyshohet se në bashkëpunim me një person tjetër të shpallur në kërkim, më 11 prill 2018 kanë tentuar të trafikojnë një sasi lënde narkotike prej 97 kg marijuanë nëpërmjet liqenit të Shkodrës.

Por lënda narkotike është kapur nga policia malazeze në bregun e liqenit të Shkodrës në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Hani i Hotit, në bashkëpunim me policinë shqiptare.

Ndaj të riut hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme. /a.y/noa.al