Transmetuar më 10-07-2019, 19:32

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ndal sot në Mallakastër, në vijim të takimeve që është duke zhvilluar në rrethe.

Gjatë takimeve me drejtues të degës së PD-së atje, Basha nënvizoi se 30 qershori vulosi fatin e kësaj qeverie, duke e cilësuar atë një masakër elektorale.

“30 Qershori është një masakër elektorale e provuar në sytë e secilit. Përgjegjës kryesor për këtë krim është Edi Rama", u shpreh Basha.

Ai u shpreh se Edi Rama provoi edhe njëherë se nuk bën dot zgjedhje edhe kur në garë është i vetëm.

Lulzim Basha la të kuptohet se kryebashkiakët e djathtë nuk do dalin nga zyrat, kur tha se Agron Kapllanaj është kryetari legjitim i Bashkisë Mallakastër.

“Bashkia Mallakaster ka një kryetar legjitim. Ai është Agron Kapllanaj. derisa të ketë një proces të rregullt zgjedhor, ku përsëri do të konfirmohet si Kryetar Agron Kapllanaj”, u shpreh lideri i opozitës. /k.k/noa.al/