Vettingu për gjyqtarin Ilir Mustafaj nis me debate, kërkon hetim të paanshëm
Transmetuar më 11-07-2019, 13:38

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Ilir Mustafaj, ka dalë sot për të dytën herë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vettingun. Seancën e parë ai kërkoi përjashtimin e relatores Xhensila Pine nga trupa gjykuese, e cila ka në përbërje edhe Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari.

Por KPK nuk e ka marrë parasysh, kërkesën e tij përjashtimin e anëtares Xhensila Pine. Mësohet se hetimet për Mustafajn kanë përfunduar vetëm në një kriter, atë të pasurisë.

KPK thekson se, “ILDKPI ka sjellë raport që Mustafaj ka berë deklarim të saktë, nuk ka fshehje pasurie apo konflikt interesi”, por shton se “ka konstatuar mospërputhje mes pasurive të deklaruara në deklaratën e vettingut me deklaratat vjetore”.

Kështu, raportohet për mospërputhje në çmimin dhe sipërfaqen e pasurive dhe mënyrën e shlyerjes së kësteve të kredisë.

Sipas KPK ka mospërputhje në lidhje me një apartament banimi në Tiranë me vlerë 40 mijë euro.  Në deklaratën e vettingut thuhet së ka një apartament 120 m2. Ndërsa në deklarimin e vitit 2007 nuk deklarohet kjo pasuri.

Në deklaratën e vetting deklarohet vlera 40 mijë euro dhe zvogëlim i sipërfaqes. Ka mospërputhje gjithashtu sa i përket shlyerjes së vlerës së detyrimit. KPK ka konstatuar gjithashtu se: Babai i subjektit të rivlerësimit në vitin 1998 ka blerë 1 mijë m2 arë në Yzberisht në vlerën 2 mln lekë. Bazuar në të ardhurat e ligjshme ka pamjaftueshmëri paguese.

Në lidhje me sipërfaqet e marra në këmbim të një trualli 300 m2 dhe ndërtesës mbi të, Komisioni del në konkluzionin që ndërtuesi u ka dhënë  105%  të vlerës. Vetë Ilir Mustafaj ka kërkuar zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor.

“Para se të jap shpjegimet, ngre para jush një shqetësim. Kërkoj gjykim sipas të drejtave të njeriut. Kam kërkuar që të plotësoni detyrimim për tu njohur me procesin e hetimit. Jam kërkuar të vij më 14 qershor në KPK, emaili më ka ardhur 24 pasi kam dorëzuar materialet. Kam kërkuar të shtyhet seanca dëgjimore, me faktin se seanca u caktua pa një kohë për mbrojtje efektive. Në 18.30 të datës 13 qershor më është shtyrë seanca me vetëm 5 orë për nje seancë në Gjykatën e Elbasanit. Kam shprehur në seancën e kaluar që kam sjellë shumë prova, të cilat kërkojnë shumë kohë për tu gjykuar. Për ju ato janë vetëm fletë, por për mua jo, janë të gjitha prova jete të punës”, tha ai.

Më tej ai shtoi se, “Më ka ardhur nga KPK vendimi i datës 19 qershor për rrëzimin e kërkesës sime për përjashtimin e relatores Xhensila Pine. Më 28 qershor kam dërguar shkresën duke kërkuar parashtrimet e relatores, transkriptimin e bisedës në telefon me relatoren në datën 19 qershor. Në datë 2 korrik, nuk më ka ardhur transkriptimi i bisedës. Kam kërkuar sërish transkriptim të bisedës, për të bërë mbrojtjen, por nuk më ka ardhur asnjë përgjigje e mëvonshme nga KPK”.

Mustafaj është kandidat për Gjykatën Kushtetuese, ndërsa më herët ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Loading...
Loading...