Transmetuar më 11-07-2019, 18:24

Masë ekstreme kundrejt lirisë së medias e ka quajtur OSBE vendimin e qeverisë, që me ligj kërkon pezullimin e botimeve në internet.

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, pas disa konsultimeve mbi procesin e hartimit me përfaqësuesit e Qeverisë në muajt e fundit, publikoi sot një analizë ligjore sa i përket projektligjit për Shërbimet e Medias në Shqipëri.

“Përfaqësuesi kujtoi se bllokimi ose pezullimi i botimeve në internet konsiderohet një masë ekstreme e shtetit kundrejt të drejtës së lirisë së shprehjes dhe për këtë arsye pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të tjera të njeriut ose parimeve demokratike, ose kur masa të tjera nuk mund të zbatohen”, thuhet në raport.

Përfaqësuesi i OSBE-së tregon edhe rastet se kur mund të zbatohet një gjë e tillë, dhe që sipas tij vetëm në tre raste: pornografia e fëmijëve, inkurajimin e akteve terroriste, dhe shkeljet e sigurisë kombëtare, dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt.

Ai sugjeron po ashtu se “duhet të krijohet një mekanizëm i duhur i apelimit dhe rishikimit përpara gjyqësorit si mbrojtje për botuesit dhe qytetarët. Në rrethana të tjera, masat e tilla duhet të trajtohen nga sistemi i drejtësisë penale. Kompetencat e AMA nuk duhet të shtrihen në trajtimin e çështjeve të tilla si shpifja”.

“Për më tepër, shqyrtimi ligjor rekomandon sqarimin e të gjithë procesit të vendimmarrjes së AMA-së me Autoritetet Kombëtare për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, NAECES dhe Organin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike, APEC”, thuhet më tej në raport.

Raportin e plotë e lexoni duke klikuar këtu. /k.k/noa.al/