Transmetuar më 11-07-2019, 23:10

Të konsumosh pije të pasura me sheqer, si lëng frutash të paketuara, pije të gazuara, frappe, çaj apo kafe me sheqer, mund të shtojë rrezikun për t’u sëmurur me tumor.

Në fakt do të mjaftonin disa pije në javë (100 mililitër në ditë) për të rritur me 18% rrezikun e tumorit.

Lajmi vjen nga një skuadër kërkuesish francezë e koordinuar nga shkencëtarë të Qendrës së kërkimit epidemiologjik dhe statistik Cité de Parigi (CRESS), që kanë bashkëpunuar me kolegët e Departamentit të Shëndetit Publik në spitalin e Avicenne dhe të Agjencisë franceze për shëndetin publik.

Shkencëtarët të udhëhequr nga profesoreshë Mathilde Touvier e katedrës pariziene, kanë arritur në përfundimet e tyre pas një studimi statistik të realizuar në mbi më shumë se 100 mijë persona.

Pjesëmarrësit janë ndjekur për një periudhë mesatarisht 5,1 vite. Ata kishin të gjithë një moshë të barabartë ose më të madhe se 18 vjeç dhe mosha mesatare ishte ajo 42 vjeçare.

Touvier bashkë me kolegët e saj kanë përgatitur pyetësorë ushqimorë dhe kanë analizuar kartelat klinike për të nxjerrë lidhjen me tumorët.

Rezultati

Duke bashkuar të gjitha të dhënat doli në pah që mes pjësëmarrësve, 2193 ishin me tumor (22 raste në 1 mijë persona).  Mes tyre 693 ishin me tumor të gjirit, 291 kishin të zhvilluar tumor të prostatës, dhe 166 tumor të zorrës së trashë. Duke analizuar konsumimin e pijeve me sheqer doli që kush e konsumonte më shumë (185 mililitra dhe më shumë në javë) kishte një rrezik më të lartë të zhvillonte një tumor se ai që konsumonte më pak se 30 mililitër. Do të mjaftonin 2 kanaçe me nga 500 mililitër në javë që të rritet rreziku i një tumori me rreth 20%. Touvier bashkë me kolegët kanë kërkuar lidhje mes tumorit dhe pijeve dietike dhe të ëmbëlsuara, por nuk i kanë gjetur.

Për t’u konfirmuar

Për shkak se tipologia e studimit nuk nxjerr në pah raporte shkak-pasojë mes konsumimit të pijeve me sheqer dhe tumorit, janë vetë autorët e kërkimit që thonë të mos arrihen përfundime të nxituara. Në fakt rezultatet duhet të konfirmohen nga kërkime specifike më të detajuara.

Motivi për të cilin pijet me sheqer mund të rrisin rrezikun e një tumori qëndron në majat e glicemisë që janë në gjak, të cilët mund të nxisin procesin kancerogjen, por kjo akoma duhet të verifikohet. Nuk përjashtohet lidhja me obezitetin, i cili vetë është i lidhur me zhvillimin e rreth 10 neoplazive. Studime të fundit kanë zbuluar lidhje mes konsumimit të pijeve me sheqer me iktusin, infarktin dhe sëmundje të tjera kardiovaskulare, por edhe me sjelljen e dhunshme të fëmijëve. Detajet e kërkimit të ri janë publikuar në revistën shkencore The British Medical Journal./a.k/noa.al/