Transmetuar më 12-07-2019, 11:31

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve rinumëroi sot 11 kuti votimi të bashkisë së Lezhës. Por hapja e kutive nuk ka mundur ti sugurojë më shumë se 4 vota plus Eduard Ndocajt, i cili konkuroi përballë Pjerin Ndreut në Lezhë.

Sipas KQZ nga rinumërimi i 11 kutive të votimit për Lezhën, 9 prej tyre ishin korrekte dhe 2 kuti kishin parregullësi.

Sipas KQZ, në total të 11 kutive të rinumëruara, Eduart Ndocajt i mungojnë gjithësej 4 fletë votimi.

Në Qendrën e Votimi 0714/1, Eduart Ndocaj ka marrë 14 vota, nga rinumërimi doli 15 vota. Në Qendrën e Votimit 0705 rezultonte se Ndocaj kishte marrë 2 vota, sipas rinumërimit ai ka marrë 5 vota.

Në përfundim të rinumërimit që zgjati 2 orë, kreu i KQZ-së Klement Zguri tha se u vërejtën parregullsi, pasi rezulton të ketë më shumë vota në kuti se sa numri i zgjedhësve.

“Janë gjetur më shumë vota në kuti se numri i zgjedhësve që kanë marrë pjesë. Kjo një shkelje e rëndë”,- u shpreh Zguri.

Ndërsa avokati i Aleancës Konservatore Albania tha se: “U vërejtën dy moskorrektësi, në një QV kandidati Eduard Ndocaj ka marrë një votë më shumë nga rezultati i deklaruar, në një rast tjetër 3 vota më shumë nga rezulatati i deklaruar.

Bledar Skënderi, anëtar i KQZ iu përgjigj avokatit duke thënë se: “Nga shqyrtimi administrativ (rinumërimi) rezultoi se nuk ka asgjë të pavlefshme në këtë zone zgjedhore”./b.l/noa.al/