Transmetuar më 16-07-2019, 21:50

Në prag të ndeshjes së kthimit të vlefshme për kualifikueset e Champions League, ndaj Qarabag të Azerbajxhanit,  trajneri i Partizanit, Franco Lerda, u shpreh i bindur se kampionët e Shqipërisë kanë për të dhënë shumë në këtë kompeticion dhe se nuk kanë udhëtuar për turizëm drejt Azerbajxhanit.

Duke qenë se ndeshja në Tiranë u mbyll me rrjeta të paprekura, sa i përket trajtimit nga pika e bardhë e penalltisë, Lerda tha se është një mënyrë stërvitje për t’u përgatitur edhe për këtë mundësi.

“11 metërshat janë pjesë e rregullores së lojës nuk është se e vendosim ne, nëse ndeshja do të përfundoj 0-0 është edhe kjo mundësi penalltitë, ndaj kemi të drejtë të përgatitemi edhe për këtë”, theksoi Lerda.

Italiani pranoi se edhe kualifikimi nesër ndaj Qarabağ është mundësi dhe jo dëshirë.

“Këtu nuk kemi ardhur për turizëm. E kemi të qartë që do të jetë shumë e vështirë për ne, e dinim, e dimë. Kemi luajtur një pjesë të parë në Tiranë, tani do të luajmë të dytën. Do të përpiqemi të luajmë pjesën tonë në mënyrën më të mirë”, theksoi ai.

Duke qenë se ish-skuadra e Ansi Agollit, me një buxhet disa herë më të madh ka më tepër ambicie për kualifikim, trajneri i Partizanit shton se presioni do të jetë mbi lojtarët e Qarabag.

“E kemi deklaruar që ne kemi shumë respekt për Qarabağ. Nuk kemi ardhur këtu për të bërë thjesht një shëtitje, do të kërkojmë me forcat tona me mundësitë tona të bëjmë ndeshjen tonë, si në jetë ashtu edhe në futboll mund të ndodh gjithçka.”

“ Qarabağ është një skuadër me një buxhet shumë herë më të madh se ne dhe do të luajnë siç edhe bënë në Tiranë, por edhe ne do të përpiqemi të interpretojmë ndeshjen në mënyrën më të mirë. Askush nuk ka deklaruar nga ne që vijmë të sigurt për kualifikim”, shtoi ai.

Nga ndeshja e parë, Lerda thotë se nuk është surprizuar me kundërshtarin.

“Qarabağ është konfirmuar ajo skuadër që unë kam parë dhe kam vëzhguar. Është ajo skuadër e konfirmuar edhe përgjatë edicioneve të kaluara ku është përballur edhe me ekipe Italiane si Roma. Është një skuadër e fortë e cila ka mjaft kualitete në ekip. Në mesfushë dhe sulm ka lojtar shumë të fortë sidomos kur luajnë një për një me kundërshtarin.” /a.m/noa.al/