Transmetuar më 18-07-2019, 12:04

Studentë mësuesie me notën mesatare 8, mjekë mbi këtë mesatare, ministrja Shahini: Jo më si në kohën e PD-së!

Nota mesatare për degën e Mësuesisë do të shkojë 8, ndërsa dega e Mjekësisë do të ketë një notë akoma më të lartë mesatare, për të gjithë ata që synojnë një vend të ri pune në këto profesione.

Kështu deklaroi sot Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në Kuvend.

Në interpelancën e kërkuar nga deputetë të opozitës mbi përcaktimin e kriterit të notës mesatar, Shahini tha se ky vendim është i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë parauniversitar në Republikën e Shqipërisë.

“Politikat arsimore që i kanë paraprirë këtij vendimi, janë dy ndërhyrje kryesore që bëhen në sistemin parauniversitar, e para është te kurrikulat dhe tekstet shkollore pra tek përmbajtja e asaj që mësojnë nxënësit në shkollë dhe tjetra është tek mësuesit se sa të mirëarsimuar janë ata”.

“Pas këtyre ndërhyrjeve tekstet shkollore janë përmirësuar, tekstet shkollore të shkencave janë marrë nga botuesit prestigjioz dhe janë përzgjedhur nga mësues dhe sot një pjesë e tyre jepen falas për nxënësit . Nga shtatori nxënësit do punojnë me tekstet e reja shkollore”, tha Shahini.

Ministrja e Arsimit foli edhe për kohën e Partisë Demokratike, kur sipas saj, studentët dhe mësuesit apo mjekët emëroheshin pa asnjë lloj kriteri, duke mbetur analfabetë funksionalë.

“Kjo për shkak se në kohën kur Partia Demokratike ka menaxhuar sistemin arsimor ka shkatërruar tërësisht figurën e mësuesit në dy mënyra. Ka punësuar mësues në baza partiake dhe e dyta kanë hapur universitete si Kristali dhe Vitrina që kanë prodhuar mësues që nuk kanë qenë asnjë ditë në shkollë”.

“Në kohën e PD mbi 60 % e nxënësve kanë qenë analfabetë funksional. Në vitin 2015 pas një viti e gjysmë menaxhim nga PS kjo shifër ra ndjeshëm.  Ne e pamë të arsyeshme që t’i orientojmë ata më të mirët drejt formimit akademik”, u shpreh Shahini.

“Do e çojmë në 8 notën mesatare për degën e Mësuesisë. Universiteti i Mjekësisë ka vendosur të shkojë përtej vendimit tonë duke vendosur edhe një notë akoma më të lartë mesatare. Kam biseduar me shumë maturantë. I kam njoftuar për vendimin që do merret. Kemi pasur edhe kritika. Miratimi ka qenë nga ata pedagogë që kërkojnë një selektim, ndërsa kritikë kanë qenë ata që mendojnë se do zvogëlohet numri i nxënësve për lëndën e tyre”, përfundoi ministrja Shahini.

/a.m/noa.al/