Transmetuar më 19-07-2019, 15:43

Një sasi lënde narkotike prej 13.4 gram kokainë është kapur në një lokal në Tiranë, në rrugën “Medar Shtylla”.

Në operacionin e Policisë së Tiranës, i koduar “Befasia”, u përdor edhe qeni antidrogë, ku u gjetën edhe disa fishekë.

Policia sqaron se ka pasur të dhëna që në këtë ambient shkonin persona që konsumonin lëndë narkotike.

Nga kontrolli i kryer në ambientet e ketij lokali u  gjet dhe sekuestrua 1 qese me lënde narkotike e dyshuar Kokainë.

Në tavolinat e lokalit është gjetur dhe sekuestruar një qese tjetër me lëndë narkotike Kokainë dhe në një ambient tjetër të këtij lokali është gjetur dhe një fishek luftarak.

Rezultoi se pronari i lokalit shtetasi R.P., kishte përshtatur lokalin për tregtim dhe përdorim të drogave të forta, kryesisht Kokainë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

R.P., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Përshtatje e lokalit për përdorim droge” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municionit luftarak”.

Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë dy punonjës të lokalit për veprën penale “Moskallëzim krimi” dhe një shtetas tjetër, klienti i lokalit,  për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13.4 gramë kokainë , 4 aparate celulare dhe një fishek luftarak. /k.k/noa.al/