Transmetuar më 19-07-2019, 20:32

Shumë kritikë mendojnë se Akademia e Shkencave e Shqipërisë prej kohësh e ka shkëputur lidhjen me shkencën. Gradat shkencore po jepen pa asnjë kriter, ashtu si edhe diplomat, ndërkohë mungojnë studimet e mirëfillta shkencore.

Si të mos mjaftonte kjo situatë dramatike, duket se beteja aty nuk po zhvillohet më për përparimin e shkencës, por për poste drejtuese të saj dhe për politikë.

Kryeministri Edi Rama, pak kohë më parë i preu fondet Akademisë së Shkencave, me pretendimet se zgjedhjet ishin farsë dhe studimet shkencore nuk ekzistonin.

Sakaq, pas asaj që u konsiderua reformë e këtij institucioni, më i rëndësishmi sa i përket dijes së kombit, ish-kreu i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi, partia e të cilit u fut në garën e zgjedhjeve të 30 qershorit, u zgjodh në krye të Akademisë së Shkencave, duke u tërhequr nga politika disa ditë para se të merrte postin e rëndësishëm.

Por kjo zgjedhje u kontestua nga disa akademikë dhe intelektualë, ku zëri më i fortë kundër zgjedhjes së tij ishte anëtari i Akademisë së Shkencave dhe akademiku, Artan Fuga.

Po ashtu kjo zgjedhje u kontestua edhe nga opozita.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk dekretoi zgjedhjen e Gjinushit, me arsyetimin se ai mbante paralelisht një post politik, ndërkohë që për të drejtuar Akademinë e Shkencave duhet së paku të jesh i angazhuar në 10 vitet e fundit në këtë institucion.

Sot u mblodh Asambleja e Akademisë së Shkencave, ku edhe riktheu pas dekretin e Presidentit.

“Asambleja u shpreh me vendim duke mbështetur propozimin e Këshillit ekzekutiv të Akademisë së Shkencave për t’i kërkuar institucionit të Presidentit rishqyrtimin e qëndrimit të tij përsa i përket emërimit të kryetarit të zgjedhur të Akademisë së Shkencave, akademikut Skënder Gjinushit”, shprehet Vasil Tole, zëvendës-kryetar i ASH.

“Ne jemi të bindur që në atë moment akademik Gjinushi, nuk ka qenë në papajtueshmëri”, shprehet Vasil Tole, zëvendës-kryetar i ASH.

Por në rast të mos një dekretimi, a mund të ketë zgjedhje të reja në këtë institucion, sipas ligjit të ri për Akademinë e Shkencave të Kaluar në Kuvend ditën e enjte?

“Në rast se do të ketë një dekret refuzimi, aty parashkohet se lihet në dorë të asamblesë shqyrtimi i vlefshmërisë. Në rast se asambleja i qëndron vendimit të parë, atëherë kryetari vijon detyrën”, tha shprehet Vasil Tole, zëvendës-kryetar i ASH

Por megjithatë, vetë Gjinushi, nuk dihet nëse e ka marrë seriozisht apo me të qeshur tërë këtë histori, ndoshta nga gjendja ku ndodhet aktualisht institucioni që ai drejton!

Akademia e Shkencave pas mbledhjes së Asamblenë e konsideron të pavlefshëm dekretin e Presidentit, Ilir Meta.

Sakaq, Gjinushi pretendon se përveç mbështetjes që ka marrë nga Kuvendi, teksa është takuar me disa deputetë të maxhorancës, ka edhe 44 akademikë në bllok që të mbështetën kandidaturën e tij, pas asamblesë.

Edhe disa nga deputetet e PS-së, pas seancës së fundit plenare, përgëzuan Gjinushin për mbështetjen e marrë nga akademikët duke pritur emërimin e tij.

Mes deputetëve femra që përgëzoi Gjinushin ishte edhe Ulsi Manja, kreu i Komisionit Hetimor Parlamentar, për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Në këtë situatë, do të jetë Gjinushi apo dikush tjetër në krye të Akademisë së Shkencave, ndoshta kjo nuk ka rëndësi, sepse fakt është se shkenca në vendin tonë është katandisur si mos keq, tashmë edhe në një betejë të pastër politike. /a.m/noa.al