Transmetuar më 19-07-2019, 20:49

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, paraqiti dorëheqjen pasi ka marrë ftesë për t’u marrë në pyetje në Hagë.

Ai tha se është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për krime lufte në Hagë ku do të paraqitet javën që vjen.

Zoti Haradinaj tha se nuk mund të lejonte që të paraqitej atje në cilësinë e kryeministrit dhe për këtë arsye ka paraqitur dorëheqje të pakthyeshme.

Në një letër drejtuar qytetarëve të Kosovës, zoti Haradinaj shkroi se “nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë. Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufij”.

Ai shkroi më tutje se “Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit. Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes. Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do t’a kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet”.

Ai tha se tash i takon presidentit të vendit të marrë veprimet për ta çuar vendin në zgjedhjet e parakohshme.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi ndërkaq në rrjetet sociale se në Hagë janë ftuar edhe disa ish zyrtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij. Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush!”

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli shkroi se “me keqardhje mësova nga mediat për thirrjen që u është bërë nga Gjykata Speciale bashkëluftëtarëve të mi, si dhe për dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë dhe jam i sigurt se ndershmëria e luftës së popullit tonë për liri e pavarësi ka për t’u vërtetuar sërish. Koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së. Të gjitha veprimet dhe vendimet tona do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe qytetarëve tanë, si dhe në përputhje të plotë me ligjet tona”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa shkroi se “LDK-ja në vazhdimësi ka kërkuar që kjo qeveri të japë dorëheqje, por ndjejmë keqardhje që kjo ndodhë për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara, të Kryeministrit të Kosovës. Besoj fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe po ashtu besoj se pafajësia e z. Haradinaj do të provohet edhe kësaj radhe”.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje , Albin Kurti, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj Gjykatës për krime lufte, tha se dorëheqja e kryeministrit është “e vonuar me arsye të gabuar”.

Në një postim në rrjetet sociale ai shkroi se “Z.Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Moti është dashur të japë dorëheqje. Psh. kur e ndërroi qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi, kur ia rriti pagën vetvetes, kur emëronte nëpër borde e menaxhmente ndërmarrjesh me mbiemra familjesh e librezë partie, kur me 13 dhjetor 2018 e dha propozimin për marrëveshje "Ahtisaari Plus" me Serbinë, kur e paloi e rrafshoi buxhetin me asfalt, kur e kërcënoi prokurorin Blakaj, kur delegacioni për bisedime me Serbinë i doli anti-kushtetues etj.etj. Së fundi e pa që mocionin e mosbesimit të opozitës do ta votonin edhe disa prej deputetëve që e kishin mbështetur fillimisht. E kuptoi atë që ia kishim thënë dikur: kryeministrinë e ka pasur si biçikletë hua nga PDK-ja për të bërë ndonjë xhiro…”

​Kjo është hera e dytë që zoti Haradinaj jep dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën për krime lufte ne hapësirat e ish Jugosllavisë, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.

Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.

Tani ai është zyrtari më i lartë i thirrur për t’u paraqitur në Hagë, ku deri tash janë ftuar dhjetëra ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s. /a.m/noa.al/