Transmetuar më 20-07-2019, 00:03

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka kërcënuar ata të cilët i quajti zaptuesit ilegalë të bregdetit, se do të përballen me përgjegjësi penale.

Ministria e Brendshme është bërë pjesë një aksioni për ndëshkimin e paligjshmërisë në vijën bregdetare.

““Ujërat nuk privatizohen. Publiku vjen në breg te prona e tij dhe paguan te një privat që nuk i paguan asnjë taksë shtetit. Kush është zgjidhja?! Është vonë për thirrje, koha për veprim. Për të vendosur ligjin në vijën e tij bregdetare. Sot, e vetmja rrugë është ushtrimi i përgjegjësive, nuk mund të pranohet asnjë person i cili pushton bregun dhe nuk jep asnjë cent”, theksoi Lleshaj.

Paralajmërimit nuk i shpëtuan edhe drejtorët e policisë e të krimit ekonomik, që nuk kishin marrë masa deri më sot. Deklaratat e Lleshajt janë bërë gjatë komitetit rajonal të zhvillimit të turizmit.

“ Kaq shumë njerëz përgjegjës dhe kjo është gjendja, kur do mjaftonte një polic dhe një inspektor. Kjo është java që nis aksioni. Se ose do rivendosim ligjin ose duhet të marrim përgjegjësi, pasi dy janë rrugët ose nuk duam ose jemi të paaftë. Java që vjen, ose do të vendosen para përgjegjësisë dhe procedohen penalisht përgjegjësit ose do keni në Vlorë një drejtor policie më pak ose drejtor te krimit ekonomik mangët”, theksoi Lleshaj.

Sipas legjislacionit shqiptar, 20 për qind e territorit të plazhit duhet të jetë e lirë për publikun, pjesa tjetër mund të administrohet nga privati./a.m/noa.al/