Transmetuar më 20-07-2019, 09:05

Duket se koha e artë e lulëzimit të call center ka përfunduar. Kompanitë më të mëdha në vend po reduktojnë të punësuarit, ndërsa sipërmarrësit që hynë të parët në këtë treg kanë shitur bizneset e tyre. Pas maturimit të sektorit, zhvillimeve teknologjike, masave shtrënguese nga Italia, mungesës së burimeve njerëzore, sektori ka filluar të ristrukturohet, duke diversifikuar shërbimet.

Që kur qeveria italiane ndërmori masa shtrënguese për veprimtaritë call center jashtë shtetit italian, duke aplikuar gjoba të rënda për shkeljen e tyre, aktiviteti i tyre në Shqipëri është shtrënguar. Ndonëse më të mëdhenjtë thonë se direkt ligji nuk i ka prekur, por ka formalizuar sektorin në Shqipëri, duke eliminuar operatorët që nuk zbatonin rregullat e lojës, shifrat tregojnë se edhe të mëdhatë kanë zvogëluar aktivitetin, duke punësuar më pak dhe duke realizuar më pak të ardhura.

Kur qeveria italiane miratoi ligjin e parë, atë të delokalizimit, operatorët e qendrave telefonike, kur presin apo bëjnë një telefonatë, duhet të njoftojnë vendin nga ku po telefonojnë, u paralajmërua se pasojat negative do të reflektoheshin tek aktiviteti i qendrave në Shqipëri. Në rast të moszbatimit të ligjit, do të aplikoheshin gjoba të larta mbi 50 mijë euro. Ndërsa goditja finale u dha me miratimin e ligjit që mbron privatësinë e qytetarëve, të cilët mund të zgjedhin të jenë pjesë e listës që kërkojnë të mos telefonohen.

Deri në korrik të këtij viti, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë se janë të regjistruar 659 biznese që operojnë si call center. Prej vitit 2017, ku ishin të regjistruar 817 kompani, numri i tyre ka pësuar tkurrje të vazhdueshme dhe sot përllogariten rreth 20% më pak.

Sektori njohu një zgjerim të shpejtë ku, nga 382 ndërmarrje që vepronin në 2011, numri i tyre kërceu në 848 në vitin 2015, ku është regjistruar edhe numri më i lartë në vend. Bashkë me rritjen në numër, u rrit edhe pesha e punësimit të sektorit në ekonomi, duke u bërë shpëtimtar i shumë të rinjve, që po arrinin të siguronin paga mbi mesataren e tregut të punës në Shqipëri. Me mbylljen e shumë kompanive, por edhe me tkurrjen e të mëdhave, ka filluar të ulet edhe pesha e punësimit.

“Monitor” siguroi nga INSTAT të dhënat e punësimit në këtë sektor për tremujorin e parë të këtij viti, ku rezultojnë se punojnë në sektor 22,266 individë, nga 25 mijë të punësuar që punësonte i gjithë sektori në periudhën 2015-2016, duke shënuar një rënie me 11%. E parë në përqindje, rënia ka qenë më e madhe te bizneset, të cilat për të njëjtën periudhë u mbyllën me një ritëm më të shpejtë se sa numri i të punësuarve. Aktorët e tregut shpjegojnë se një pjesë e call center të mbyllur ishin qendra të vogla me pak të punësuar.

Agron Shehaj, pionier në këtë sektor, pret që sektori të vijojë tkurrjen, teksa po shkohet drejt dixhitalizimit dhe automatizimit të proceseve, çka pritet të ketë ndikim negativ në kërkesën për shërbime nga operatorët fizikë. Shehaj shikon si problem edhe mungesën e njohurive bazë të gjuhës italiane nga të rinjtë e sotëm shqiptarë, ndryshe nga brezat e kaluar që u rritën, duke parë televizionin e shtetit përtej Adriatikut. “20-vjeçarët sot nuk kanë njohuri bazë të gjuhës italiane, njohin më së shumti anglishten, për të cilën Shqipëria konkurrohet nga vende të tjera me kosto të ulët të punës në të gjithë botën”, thotë ai.

Kompanitë po diversifikohen dhe po punësojnë më pak

Prej shumë vitesh, Intercom Data Service (IDS) është renditur në krye të klasifikimit si punëdhënësi më i madh privat në vend. Në 2014-n, ky call center, i themeluar që në 2005-n, punësonte 3600 të rinj në vend. Sot, kompania po punëson gati 4 herë më pak, duke regjistruar 970 persona në fund të marsit, sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet. Një pjesë e IDS, iu shit Comdata, gjiganti italian i call center, i cili deri në mars kishte një listë-pagesë me 552 të punësuar. Ndërsa një pjesë tjetër u integrua si pjesë e një startup-i të suksesshëm që ofron shërbime në marketingun dixhital, WeWeb.

Olta Qosja është menaxhere shitje në kompaninë IDS, ku prej vitesh ka udhëhequr fushata të ndryshme marketingu. Ajo shpjegon se dixhitalizimi ka ulur nevojën për shërbime ndaj klientit. Tashmë, sipas saj, kompanitë po krijojnë produkte më pak njerëzore dhe më shumë teknologjike, ku një pjesë e proceseve të punës po automatizohen. Për t’u përballur me këto ndryshime, IDS nisi ndryshimet në organizimin e saj dhe diversifikoi produktet që ata mund të ofronin për klientët në Itali, që të mos jenë vetëm në një fushë.

“Nëse do të vazhdonin vetëm në një drejtim, do të kishin pësuar tkurrje, apo të kishin herë pas here ulje-ngritje në varësi të faktorëve të ndryshëm, – thotë Qosja, – ne e kuptuam para kohe, para se të aplikoheshin ligjet nga Italia, ku filluam punë me startup-in, kompaninë, WeWeb, e cila ofron shërbime në marketingun dixhital. Ligji nuk na ka krijuar probleme deri më tani. Në fakt kompanitë, të cilat marrin shërbime nga call center në Shqipëri, nuk duan më që t’i bëjnë shërbimet me burime njerëzore, por kërkojnë shërbime dixhitale”.

Kjo ka sjellë ulje të volumeve të punës që vijnë nga Italia, veçanërisht për shërbimet inbound (thirrjet hyrëse), një pjesë e punës po mbetet në Itali, ndërsa pjesa tjetër po dixhitalizohet. Në fakt, të ardhurat e kompanisë janë përgjysmuar në 2018-n në raport me një vit më parë. Gjatë 2018-s, kompania realizoi 1.2 miliardë lekë të ardhura, nga 2.4 miliardë që gjeneroi një vit më parë, sipas pasqyrave financiare. Rënia erdhi për shkak të ndarjes së kompanisë, ndërsa Qosja thotë se grupi është në rritje.

Një pjesë e aktivitetit ka kaluar tek operatori italian Localweb (Weweb në Shqipëri), që realizon një qarkullim vjetor prej rreth 10 milionë eurosh dhe ka 477 të punësuar. Localweb nisi si një diversifikim në një fushë me shumë potencial, që është tregu dixhital. Ai nuk ka në qendër biznesin e call center, por web marketing. Duke ndjekur trendin e së ardhmes, fokusi i grupit është tashmë më tepër në fushën e marketingut dixhital dhe kompani të reja në teknologjinë e informacionit për shumë tregje të huaja.

E themeluar që në vitin 2009, Albacall renditet prej disa vitesh në 10 punëdhënësit më të mëdhenj në vend, duke qenë një alternativë punësimi për shumë të rinj. Gjatë 2018-s, Albacall realizoi rreth 2.7 miliardë lekë të ardhura nga aktiviteti, duke shënuar tkurrje me 11% në krahasim me një vit më parë, ku sipas pasqyrave financiare ka realizuar rreth 3 miliardë lekë të ardhura. Prej 2016-s, kompania ka reduktuar numrin e të punësuarve me 12%. Të dhënat e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se numri i të punësuarve deri në tremujorin e parë të vitit 2019 ishte 1515.

E vetmja kompani që njohu rritje të të ardhurave të saj është Albania Marketing Service (Teleperformance), e cila realizoi 3.8 miliardë lekë të ardhura, nga 3.5 miliardë që ka raportuar një vit më parë. Kompania ka njohur rritje të vazhdueshme edhe për sa u përket burimeve njerëzore. Sot, numri i të punësuarve është 2000, duke u renditur më i madh në vend si nga punësimi, edhe nga realizimi i të ardhurave.

Megjithatë Diego Pisa, administrator i kompanisë, shprehet se sektori ka pasur tkurrje në vend. I kontaktuar nga “Monitor”, z. Pisa sqaron se sektori i call center në Shqipëri ka shënuar një zvogëlim të aktivitetit me partnerët italianë, që në fakt u kompensua me hapjen e tregjeve të tjera ndërkombëtare.

PARR, gjithashtu një operator call center, që operon prej vitesh në Shqipëri, ka shënuar përgjysmim të numrit të të punësuarve. Numri i të punësuarve deri në mars 2019 ishte 399, ndërkohë që kompania më parë punësonte mbi 800 operatorë, sipas të dhënave nga tatimet. Po ashtu, numri i të punësuarve në kompaninë Facile.it, numri i të punësuarve ka rënë ndjeshëm në krahasim me dy vite më parë. Lorenc Goga, drejtues i saj, bën të ditur se numri i të punësuarve është rreth 600, shumë më pak se dy vite më parë.

Comdata, një nga kompanitë call center më të rëndësishme në Itali, me një xhiro prej 300 milionë eurosh në vit, ka hyrë në tregun shqiptar, përmes blerjes së një pjese të aktivitetit të IDS. Në fund të marsit, Comdata kishte në Shqipëri 552 të punësuar.

Por, nuk mungojnë as hyrjet e reja. Transcom Worldwide Albania, seli e Transcom WorldWide AB, e cila ka disa filiale në Europë, është një operator i ri në treg, i regjistruar për herë të parë në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 2018-n. Kompania numëron rreth 520 të punësuar dhe operon në qytetin e Durrësit. Sipas listës së Tatimeve, ajo është kompania e gjashtë në treg për nga punësimi.

Zyrat qendrore të Transcom janë në Suedi dhe kompania është e specializuar në kujdesin për klientin, mbështetje teknike, mbledhje borxhesh, etj dhe është e shtrirë në Europe, Amerikën e Jugut dhe Veriut, Azi, Afrikën Veriore. Më pas renditet, Selecta Customer Service, me zyra në zonën e Astirit ku punësohen 477 individë. BConnect punëson 461 të punësuar, e ndjekur nga Optima Albania, me 439 të punësuar. E fundit në listë është Tregi Marketing Group me 374 të punësuar. 6 nga 10 kompanitë më të mëdha janë tatimpagues të mëdhenj, të regjistruar në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj. Sot 10 kompanitë më të mëdha në vend, sipas Tatimeve, punësojnë rreth 8,800 punonjës.

Disa nga operatorët e mëdhenj, të cilët nuk kanë dashur të shprehen me emër, argumentojnë se në përgjithësi, grupet e mëdha nuk kanë pasur probleme me ligjet e miratuara nga shteti italian, pasi i kanë marrëveshjet me agjencitë italiane të strukturuara. Por, shtojnë se ka rënë përqindja e flukseve të punës nga Italia, dhe tashmë nuk kalon 20% të volumeve totale, që vijnë si kërkesë nga Italia. Sipas burimeve nga tregu është bërë diversifikimi në shumë mikroprodukte, në mënyrë që secili të mos kalojë më shumë se 20% të volumit të punës. Detyrimisht, kufizimi në volumet e punës ka bërë që kompanitë kryesore, jo vetëm të mos rriten më, por edhe të tkurrin aktivitetin dhe operatorët.

Ligjet italiane, si dolën jashtë lojë të voglat

Me objektivin për të frenuar humbjen e vendeve të punës, shteti italian miratoi ligjin e delokalizimit, i cili ka hyrë në fuqi që prej prillit të 2017-s. Ligji synonte të forconte masat ndaj fenomenit “dumping” në sektorin e call center, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit në Itali, ku një pjesë e madhe e vendeve të punës u transferua në Shqipëri për shkak të avantazhit të kostos së fuqisë punëtore dhe njohjes së gjuhës italiane.

Ligji vendos sanksione deri në 150 mijë euro për shkelje si mosdeklarimi i origjinës nga bëhet telefonata, mosruajtja e të dhënave, mosnjoftimi i delokalizimit, mosdeklarimi i numrit të punonjësve, transferimi i punonjësve etj. P.sh., mosinformimi i vendit nga bëhet thirrja shoqërohet me një sanksion administrativ prej 50,000 eurosh për çdo ditë të shkeljes së ligjit, pavarësisht nga numri i thirrjeve ‘jo të rregullta’.

Diego Pisa, CEO në Teleperformance Italy Group, shpjegon se rregullat e reja që vendosi qeveria italiane sigurisht që e kanë ngrirë rritjen e aktivitetit të kujdesit ndaj klientit që u regjistrua vitet e fundit.

Por, sipas tij, më shumë ndikim patën rregullat e reja të Bashkimit Europian, të cilat përcaktojnë qartë faktin që kompanitë duhet të respektojnë aspektin e privatësisë. Në dhjetor 2017, një tjetër ligj i kaluar me buxhetin italian, detyron që të bëhen të identifikueshme telefonatat që arrijnë nga call center. Ky ligj kishte të bënte me sistemimin e të dhënave personale. Nëse klienti thotë nuk dua të flas me ju, por më lidhni me një call center tjetër, automatikisht ai numër del nga lista dhe nuk mund të telefonohet më. Pas kësaj, kompanitë u përballën me rregulla shumë më të forta. Synimi i ligjit është që të mbrojë miliona italianë nga bezdisja e call center, pasi ai është kundër telemarketingut agresiv: kush nuk do të marrë oferta të padëshiruara, mjafton të regjistrohet që të mos i marrë më ato.

Kompanitë më të mëdha thonë se vetëm 7-8% e telefonatave përgjigjen se duan të kalojnë me një zyrë tjetër. Pisa shpjegon se këto rregulla paraqitën diferencën e vërtetë mes shoqërive serioze dhe të strukturuara dhe atyre të vogla, të paorganizuara dhe ndonjëherë informale.

Lorenc Goga, drejtues në një nga kompanitë më të mëdha të sektorit, Facile.it, e cila ka edhe zyra në Itali, thotë se këto ligje, që u miratuan nga shteti fqinj, e kanë vështirësuar këtë aktivitet, duke aplikuar gjoba të larta për ato që i thyejnë rregullat.

Nëse më parë po rrisnin punësimin në degën e Tiranës dhe po ulnin punësimin në Itali, Goga thotë se aktualisht po ndodh fenomeni i kundërt, duke punësuar më shumë njerëz në Itali se sa në Shqipëri. Edhe pse shpjegon se për natyrën e shërbimeve që ofron kompania e tij, ky ligj nuk ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë.

Operatorët më të mëdhenj pohojnë se një pjesë e kompanive janë mbyllur sepse nuk kanë punuar brenda rregullave. Oferta e call center shumë e madhe përballi agjentët që na siguronin punë nga Italia me çmime më të ulëta që prishën tregun. Operatorët e vegjël premtonin një shërbim që më pas nuk mund ta ofronin.

“Shpeshherë, për të mbijetuar, të vegjlit, përdornin disa teknika jo shumë etike. Që nga kontakti i parë me klientin, ku shpeshherë ishte një komunikim i paautorizuar. Listat që telefonohen duket të kenë një bazë autorizimi, ka një procedurë shumë të saktë se cilët duhet të jenë ata numra që duhen telefonuar dhe cilët janë numrat që nuk duhen telefonuar, sepse ky konsumator ka kërkuar në shtetin e tij që nuk duhet të kontaktohen. Klientët në Itali kanë të drejtë që të bëjnë një kërkesë, ku kalohen automatikisht në një listë, ku sipas ligjeve nuk duhet të telefonohesh. Kjo nuk respektohej nga shumë kompani, për të përfituar për të bërë punë. Imazhi i kompanive në Shqipëri u dëmtua, pasi call center në Shqipëri u vendosën të gjitha në një thes. Por, në fakt, nuk është kështu. Shumë kompani në Shqipëri janë të specializuara për të dhënë këto shërbime, kanë një Know-how dhe respektojnë rregullat”, argumenton z. Goga.

Vështirësia me punësimet, të rinjtë po rriten pa italisht ose po emigrojnë

Një nga vështirësitë më të mëdha që po përballet sektori janë sigurimi i burimeve njerëzore të kualifikuara. Sot 20-vjeçarët nuk dinë të flasin italisht, duke humbur kështu avantazhin kryesor që ka Shqipëria.

Sikurse nënvizon Diego Pisa, CEO i Teleperformance, aftësitë gjuhësore të të rinjve shqiptarë dhe niveli arsimor janë një burim i rëndësishëm për vendin, që mund të tërheqin kompani në sektorë të ndryshëm, jo vetëm në call center. Por sot të rinjtë nuk po mësojnë më italisht. Nëse gjenerata e viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90 e kanë mësuar italishten në mënyrë autodidakte, ky fenomen nuk po ndodh më, dhe të rinjtë, 18-20-vjeçarët, po rriten pa gjuhën italiane.

Lorenc Goga nga “Facile.it” thotë se për të frenuar këtë fenomen ka biseduar edhe me ambasadën italiane, që të lobojnë që gjuha italiane të jetë pjesë e kurrikulave. “Sot, në Shqipëri, kanë një garanci, që nëse mbaron shkollën e mesme, po të dish italisht punësohesh në call center si operator, me një pagë mbi nivelin mesatar në vend. Kjo është një alternativë e mirë punësimi edhe për studentët”- shpjegon ai. “Facile.it”, e cila trajton produkte financiare, kërkon që të punësojë individë që kanë njohuri mesatare e lart të gjuhës italiane.

“Nëse strukturat shqiptare do të kishin mundësi që të përballonin kërkesën nga Italia, edhe ne të kishim më shumë numër orësh në Shqipëri, do të kishim rritje. Ne kemi shumë vështirësi për punësim, pasi nuk ka burime njerëzore. Në kompaninë tonë, operatorët duhet të kenë njohuri të gjuhës italiane në nivelin mesatarisht të mirë, pasi ndër të tjera trajtojnë edhe produkte financiare. Por mungon baza dhe të rinjtë e sotëm nuk po studiojnë më italisht. Ne aktualisht si ‘facile.it’ kemi rreth 600 të punësuar, në fakt kemi pasur rënie të numrit të të punësuarve. Dy vite më parë, të punësuarit ishin mbi 700. Nëse sot, mua do të më vinin 200 veta me aftësi (italishte të mirë), do t’i punësoja të gjithë”,- thotë Goga.

Sot “Facile.it” nuk po arrin ta zëvendësojë stafin që po ikën, ndërsa të rrisë kapacitetet e burimeve njerëzore duket mision i pamundur.

Ndërsa në kompaninë IDS, për të zbutur sa më shumë mangësinë në njohuritë e gjuhës italiane që kanë të rinjtë, ofrojnë kurse 3- mujore të gjuhës italiane. Olta Qosja, menaxhere shitjesh në IDS, shpjegon se rekrutojnë staf, të cilët kanë vetëm disa njohuri bazike të italishtes dhe mundohen ta bëjnë rritjen profesionale brenda kompanisë, pasi tashmë është bërë e vështirë që të gjesh të rinj me njohje të mirë të gjuhës.

Megjithatë, kohët e fundit, kompanitë po shikojnë si problematikë edhe emigrimin. Olta Qosja nga IDS thotë se ky është një faktor që vështirë se mund të bëjnë diçka për të frenuar stafin që po largohet, pasi nuk largohen thjesht për një pagë më të lartë, por për kushte më të mira jete në përgjithësi.

Edhe Lorenc Goga nga “Facile.it”, thotë se së fundmi arsye kryesore ka qenë emigrimi.

“Kohët e fundit po shikojmë si arsye kryesore emigrimin nga Shqipëria, për një të ardhme më të mirë. Emigrimi përbën një problematikë shumë të madhe për kompanitë që duan të punësojnë”, shton ai.

Jo më një profesion i kategorisë së dytë

Mosha mesatare e të punësuarve në kompaninë IDS është 25-26 vjeç. Tipologjia e të punësuarve në qendrat telefonike ka ndryshuar. Pasi një pjesë që e nisi punën me kontrata me kohë të pjesshme, tashmë kanë lidhur kontrata me kohë të plotë, nuk janë më studentë, po kryefamiljarë të rinj që sapo kanë krijuar familje. Dikush edhe u ka hyrë kredive.

Lorenc Goga argumenton se në Shqipëri nuk është e lehtë që të gjesh punë ku respektohet ligji dhe ku paguhen orët shtesë, ditët e festave dhe lejet vjetore sipas legjislacionit. Shumë e konsiderojnë gabimisht si profesion të kategorisë së dytë, thotë ai. Nga përvoja e tij në “Facile.it”, ai shprehet se shumë të rinj vijnë dhe punojnë në call center dhe ku pjesa më e madhe është me kontrata me kohë të plotë, sigurojnë të ardhura për familjen, mund të shkojnë në bankë për të aplikuar për kredi dhe t’iu miratohet.

Ky është profesion, sipas tij, që duhen çmuar. “Nuk është se call center të mbyll rrugët e profesionit, por ndërkohë që studion mund të punojnë. Shumë call center përdorin ende metoda të vjetra dhe të gabuara në nxitjen e operatorëve për të arritur objektivat, gjë që sjell dhe pakënaqësi tek operatorët për të punuar”, thotë Goga.

Në sektorin e shitjeve në përgjithësi ka presion dhe vështirësi pasi ti ke për t’i rritur objektivat, kompania bën një biznes-plan, ku ka të përcaktuar çfarë do të bëhet në tre muajt e ardhshëm, duke filluar nga shpenzimet për marketing, kostot e minutave telefonike, kostot e punëtorëve dhe në fund përcakton numrin e shitjeve që do të mbulonin të gjitha këto kosto dhe do të siguronin marzhin e fitimit.

Profilet për të cilat ka mangësi tregu

Që të vazhdojnë të rezistojnë në treg, kompanitë shqiptare duhet të diversifikojnë shërbimet që mund të ofrojnë dhe për këtë kanë nevojë për burime njerëzore më të kualifikuara. Aktualisht, tregu ka mangësi në burime njerëzore që dinë të flasin mirë italisht dhe nëse italishtja do të futej nëpër shkolla, do të ndihmonte që të vazhdohej tradita e të rinjve që njohin mirë gjuhën, duke mbajtur kështu avantazhin tonë. Sot ka ende disa call center ku përdoret skripti nga operatorët (tekst i shkruar përpara ku operatori vetëm e lexon).

Operatorët më të mëdhenj thonë se tregu do të orientohet drejt shërbimeve të konsulencës, ku do të shiten produkte si kreditë apo siguracionet, duhet një nivel gjuhe pak më i lartë. Përndryshe, Italia kërkon edhe shërbime që kanë të bëjnë me hedhjen e të dhënave në sistem, ku operatori mund të mos ketë një italishte të mirë, por nëse është një individ i formuar dhe ka njohuri bazë të përdorimit të paketës office, veçanërisht excel, për të hedhur të dhëna në sistem (data entry).

Gjithashtu, sipas operatorëve kryesorë, tregu ka nevojë për individë që kanë njohuri nga marketingu, për të ndërmarrë fushata për kompani të ndryshme. Gjithashtu, edhe për programues në sektorin e IT-së.

Vlera e shtuar

90% e punonjësve që punojnë në kompaninë tonë janë me shkollë të lartë, por kanë diploma që nuk përbëjnë vlerë të shtuar, si juridik apo ekonomik. Tregu ka nevojë për diploma më shumë teknike, jo për gjëra teorike.

Nga shitjet e ftohta te dixhitalizimi, do të mbijetojnë vetëm të mëdhatë

Tregu i shërbimeve call center po kalon nga shitjet e produkteve te marketingu dixhital. Shumë prej fushatave të shitjeve, ku kompanitë shqiptare ofronin shërbime të call center me telefonata dalës (outbound) janë reduktuar ndjeshëm nga klientët italianë, të cilët kanë gjetur mënyra alternative për të qenë sa më pranë klientit.

“Sot të bësh outbound të ftohtë, pra të marrësh në telefon lista të ftohta nga hiçi, nga ana ekonomike, nga ana e biznesit nuk ka sens. Me përfitimet që ka një kontratë për drita dhe gaz, apo internet, të cilat shiten kryesisht nga call center të vegjël, dhe me shifrat që qarkullojnë sot në treg është e pamundur të dalësh me fitim, siç ndodhte para 5-6 vitesh, ku kishte një sens ekonomik”,- shpjegon Goga i “Facile.it”.

I pyetur se si e pret ecurinë e sektorit, Lorenc Goga parashikon se tregu do të shkojë drejt disa kompanive të mëdha.

Ai mendon se tashmë ka ikur koha e shitjeve të ftohta, nuk do të ketë më outbound. Kompanitë shqiptare duhet të ofrojnë diçka më shumë për klientët italianë dhe më ndryshe, që të ketë më shumë profesionalizëm dhe burimet njerëzore shqiptare duhet të krijojnë një bindje që duhet të studiojnë pak më shumë, të njohin pak më tepër sektorin.

“Ne mund të lidhim kontrata me Italinë për të ofruar shërbime marketingu. Sektori i teknologjisë së informacionit ka shumë nevojë. Edhe në Itali ekziston ky problem. Ne mund të ofrojmë shërbime outsourcing për Gjermaninë apo Italinë me çmime shumë të mira, për ta dhe në të njëjtën kohë të paguajmë me pagë të kënaqshme burimet njerëzore këtu për standardet e Shqipërisë. Por s’kemi ç’të ofrojmë kur ke burime njerëzore që dinë të bëjnë pak gjëra. Mbaroi koha e telefonatave.