Transmetuar më 20-07-2019, 14:00

Nga qyteti bregdetar i Vlorës, ku ministri Klosi mblodhi Task Forcën e Turizmit dhe ku të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm, ministrja e shëndetësisë dhe zëvendës ministrja e Financave, të deleguarit e Këshillit të Ministrave për drejtimin e grupit ndërinsitucional për menaxhimin e sezonit turistik 2019, u raportuan problematikat dhe u lanë afate për zgjidhjen e menjëhershme të tyre, në shërbim të një sezoni turistik të mirëadministruar dhe në funksion të sigurisë së pushuesve.

Në fjalën e tij, ministri Lleshaj paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë tolerim për këtë që nuk zbaton ligjin. Ai theksoi se do të ketë edhe largime nga puna për ata drejtues policie që nxjerrin justifikime për moszbatimin e ligjit.

“Java që vjen është afati i fundit për këtë qëllim. Nëse ne nuk do të arrijmë që brenda javës që vjen, të jetë rivendosur gjendja, do të ketë dy mundësi: ose do të ketë përgjegjësi penale, për shpërdorim detyre dhe korrupsion për personat, që nuk kanë ushtruar përgjegjësinë e tyre dhe, nëse kjo nuk ndodh, do të keni një drejtor policie mangut këtu.

Pra, duhet të gjejmë një drejtor tjetër të policisë. Qoftë në qendër këtu në Vlorë, qoftë në Drejtorinë e Krimit Ekonomik. Nuk ka asnjë mundësi tjetër. Është turpëruese dhe e papranueshme gjendja. Dhe për këtë nuk do të ketë asnjë tolerim”, u shpreh Lleshaj./b.l/noa.al/