Transmetuar më 21-07-2019, 10:26

Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi kanë realizuar një trajnim të përbashkët për rritjen e nivelit dhe kapaciteteve të policive në parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar.

Trajnimi tre ditor u zhvillua në Plavë – Guci për evidentimin e drejtimeve të mundshme ku mund të  zhvillohet veprimtari e paligjshme, nga trafiku i drogës, por edhe i emigrantëve nga Lindja nëpërmjet zonave kufitare të tre shteteve.

“Në kuadër të patrullimeve të përbashkëta ndërmjet Policive Kufitare të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, me iniciativë të IPA-s, seksioni i Malit të Zi dhe nën kujdesin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Malit të Zi, prej datës 19 – 21 korrik, në zonën kufitare ndërmjet tre shteteve, në (Plavë – Guci), po zhvillohet një trajnim 3 ditor për evidentimin e drejtimeve të mundshme ku mund të zhvillohet veprimtari e paligjshme, nëpërmjet zonave kufitare të tre shteteve, me qëllim ndërtimin e një strategjie të re të përbashkët, për të parandaluar dhe luftuar paligjshmërinë ndërkufitare”, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.

Në këtë trajnim morën pjesë  punonjës Policie të Shkodrës, njëkohësisht edhe anëtarë të IPA-s, seksioni i Shqipërisë. Sipas njoftimit të policisë së shteti, nisja dhe organizimi i këtij trajnimi nga IPA, seksioni i Malit të Zi, nuk ka vetëm për qëllim anën policore, por shkëmbimin e eksperiencave mes tyre./b.l/noa.al/