Transmetuar më 21-07-2019, 22:16

Gjykata e Tiranës ka dhënë mbi 500 urdhra mbrojtje për dhunë në familje, mes të cilëve 458 kanë qenë të menjëhershëm për shkak të rrezikut që i kanosej të dëmtuarve.

Janë shifra të këtij viti .

Pavarësisht numrit të lartë, urdhrat e mbrojtjes duket se nuk ndikojnë në parandalimin e krimeve brenda familjes.

Edhe në rrethe situata paraqitet dramatike.

Vrasja e gruas nga bashkëshorti në Durrës, apo goditja e babait nga djali me sopatë në Lushnjë, në dy rastet e fundit, flasin për një fenomen kombëtar në rritje dhe shqetësues.

Në të dyja këto raste viktimat kishin urdhër mbrojtje por kjo duket se nuk i ka ndihmuar.

Avokati Erjon Kullolli thotë se motivet që i çojnë qytetarët në duart e gjykatës për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes janë të ndryshme dhe kanë të bëjnë me plagët e shoqërisë.

Numri i denoncimeve ka qenë shqetësues në Tiranë edhe gjatë vitit të shkuar, ku në 12 muaj janë lëshuar 1161 urdhra, nga këto 945 kanë qenë të menjëhershëm.

Në vitin 2018, policia ka regjistruar 4.411 raste të tilla, ku janë lëshuar 3037 urdhra mbrojtje.

Në vitin 2017 janë raportuar në të gjithë vendin 4.005 raste të dhunës në familje./a/m/noa.al/