Transmetuar më 22-07-2019, 05:10

Presidenti Ilir Meta ka disa javë që po sulmon zbatimin e reformës në drejtësi, duke e etiketuar “Ramaformë”, domethënë të kapur nga Kryeministri Edi Rama. Në postimin e radhës, Presidenti jepte versionin e tij se përse Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese funksionale prej më shumë se një viti. Ai bënte përgjegjës për këtë Kryeministrin Rama dhe përfaqësues të tjerë të shumicës socialiste. Presidenti fliste për një “zbrazje të planifikuar” të Gjykatës Kushtetuese ekzistuese, duke përfshirë vetvetiu në anatemën e tij organet e vetingut që skualifikuan pjesën më të madhe të anëtarëve të kësaj gjykate, Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, Euralius-in dhe institucionet e pavarura vendore, që ligji i ngarkon me vëzhgimin e zbatimit të reformës në drejtësi.

Të gjithë këta akuzohen ose presupozohen se kanë lejuar në heshtje apo kanë marrë pjesë në një operacion kriminal, duke iu nënshtruar vullnetit të Edi Ramës për të lënë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese, me qëllim që ligjvënia dhe qeverisja e vendit të zhvilloheshin jashtë kontrollit kushtetues. Në postimin e Presidentit, Rama mbahet përgjegjësi direkt për bllokimin dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi përgjatë gjithë vitit 2017. “Ai, me presionin e ushtruar, i detyroi të jepnin dorëheqjen, apo shkarkoi shumicën e anëtarëve të KED, siç e kishte premtuar dhe kërcënuar publikisht”, shkruan Meta. Për këtë bllokim, Meta mban përgjegjës gjithashtu ish-ambasadorin Lu, qëndrimin e tij “shumë të gabuar”, për shkak “të keqinformimit nga përfaqësues socialistë”.

Një vit tjetër është humbur me bllokimin e KED-së për vitin 2018. Kësaj radhe gishti i Presidentit tregon si përgjegjës kryetarin e Komisionit të Ligjit, Ulsi Manja, të cilin e akuzon për krim kushtetues, duke qenë se u ka bërë thirrje publike anëtarëve të KED-së se duhet të kalojnë vetingun, pastaj i ka shantazhuar drejtpërsëdrejti në mbledhjen e parë dhe të fundit të këtij Këshilli, më 19 mars 2018.

“Zbrazja e planifikuar” e Gjykatës Kushtetuese në një anë dhe sabotimi për dy vjet rresht në anën tjetër i ngritjes së KED-së, që ka për detyrë të përgatisë listën e kandidatëve të rinj për vendet vakante në këtë gjykatë, mbyllin qarkun e konkluzionit, ku Meta duhet të ketë mbërritur herët, por ka vendosur ta ndajë me publikun në këtë periudhë që përkon me nisjen e procedurës nga shumica socialiste për shkarkimin e tij, me ngritjen dhe plotësimin e afërt tashmë të institucioneve të drejtësisë së re, me shpërthimin e pritshëm të historisë së gjatë të pandëshkueshmërisë në sferat e larta, ku vendi ka jetuar për më shumë se dy dekada. Por nuk ka vlerë të pyetet “pse tani dhe jo më parë”, sikurse nuk ka vlerë të hamendësohet ku kërkon të dalë dhe me kë po flet Meta.

Fakti është se ai është i pari zyrtar i lartë që del me një version konkret për një çështje konkrete në debatin për vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi. Ndërhyrja e tij gjen jehonë në një mjedis publik, që e ka mbështetur masivisht reformën, por është ngarkuar ndërkohë me pikëpyetje të ndryshme për aspekte të veçanta të zbatimit të saj dhe sidomos për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, temë sa delikate kur mendojmë se kriza politike e muajve të fundit ushqehet në vakumin që ka krijuar mungesa e saj dhe po aq joshëse për mendjet e prirura nga teoritë e konspiracionit. E gjitha kjo, në kontekstin kur kjo gjykatë ka qenë e mbuluar me një shfaqje të veçantë besimi dhe respekti nga publiku i gjerë, për shkak të disa vendimeve historike që ka marrë, siç mund të përmendim atë për çështjen e kufijve detarë me Greqinë. Vakancat e krijuara dhe zbrazja e saj kanë ardhur nga dorëheqjet e disa prej anëtarëve të saj dhe nga rrëzimi prej vetingut i disa të tjerëve.

Hartuesit me qëllime të mira të reformës mund të mos e kenë parashikuar se vetingu do të bënte kërdinë në gjykatën më të respektuar të sistemit tonë gjyqësor. Ky mosparashikim, që në këtë rast mund të konsiderohet shprehje besimi dhe mosparagjykimi, ka prodhuar pastaj procedura ndërbllokuese për plotësimin me shpejtësi të vendeve vakante. Sepse, ndërsa KED duhej ngritur shpejt, vetingu do të merrte kohë për t’u bërë efektiv. Në janar të vitit 2017, për shembull, kur tentohet ngritja e KED-së së parë, vetingu është akoma larg për të shpresuar kalimin shpejt të anëtarëve në skanerin e tij. Pasi kishte marrë kohën e vet për certifikim në Gjykatën Kushtetuese, dhe në Komisionin e Venecias, vetingu i ankimuar nga PD-ja duhet të presë edhe disa muaj të tjerë, përfshirë tre muajt e çadrës së lirisë, pa të nisë të ndërtohet si institucion dhe si proces.

Shumica dërrmuese e anëtarëve të KED-së të vitit 2017 dhe 2018 nuk e kaluan vetingun kur erdhi dita të përballen me të. Ky fakt u heq një pjesë të forcës akuzave që bën sot Meta. Por kjo nuk do të thotë se në akuzat e tij nuk ka elemente që meritojnë të verifikohen me kujdes. Politikanët tanë e kanë mjeshtërinë e tyre të shfrytëzojnë të çarat dhe plasaritjet e legjislacionit për të rrëshqitur aty spekulimet dhe dinakëritë apo edhe ironitë e tyre. Vetë zoti Meta, si të donte të bashkohej me të akuzuarit e tij të pandalshëm në përpjekjen autentike për të devijuar, tjetërsuar a penguar zbatimin e reformës, në rastin konkret ngritjen e KED-së së tretë, pati propozuar në postin e kryetarit të KLSH-së në nëntor të vitit 2018, anëtaren e vetme të Gjykatës Kushtetuese, zonjën Vitore Tusha.

Nuk e di si mund të kishte shkuar ngritja e KED-së së tretë nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte pasur kë të çonte në KED, siç e kërkon ligji. Aktualisht KED-ja e tretë është në punë fatmirësisht. Sidoqoftë, kur formulohen akuza si këto që ka ngritur Presidenti kundër Ramës dhe “Ramaformës”, reagimi duhet të përqendrohet te përballja e tyre, duke u marrë me “çfarë” dhe jo me “pse” apo “kush”. Meta thërret në kauzë me akuzat e tij kryeministrin, kryetarin e Komisionit të Ligjeve, ish-ambasadorin amerikan, BE-në, Euralius-in, OMN-në, Komisionin e Pavarur për Koordinimin dhe Monitorimin e Reformës, Avokatin e Popullit, disa organizata të Shoqërisë Civile, siç është Komiteti Shqiptar i Helsinkit, për shembull që kanë fituar projekte për të monitoruar këtë reformë dhe kanë dalë me raporte për ecurinë e saj.

Qeveria e ka detyrim publik reagimin. Edhe po të ngrejë akuza një qytetar i thjeshtë, e jo më kur flet kryetari i shtetit. Është e shëmtuar dhe aspak institucionale përshtatja e një sjelljeje shpërfillëse me justifikimin se nuk e njohim si President, le të thotë çfarë të dojë. Ilir Meta do të jetë President i Republikës deri ditën kur të vendosë vetë të japë dorëheqjen, të shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese, apo të mbarojë mandatin kushtetues.

Sipas njoftimeve nga KED, plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe fillimi i saj nga puna është çështje javësh. Organet e tjera të drejtësisë së re janë në fazën e ngritjes përfundimtare. Me vonesat dhe oscilacionet e njohura, reforma ka marrë rrugë, produkti i saj është më afër se kurrë. Asgjë nuk ndalon. Nga ky këndvështrim duket se duke u marrë me vonesat po harxhojmë kohë me histori të arkivuara që janë tejkaluar nga zhvillimet dhe nuk kanë më vlerë të hapen. Por nuk është kështu. Akuzat për vonesa, pengim dhe devijim të reformës si këto që ngre Meta meritojnë te verifikohen me seriozitet të madh. Nga vërtetësia e tyre, ose jo, varet pavarësia e drejtësisë së re nga politika dhe ekzekutivi për të ardhmen.

Nëse reforma me pritshmërinë më të lartë popullore në vend është shndërruar në “Ramaformë” përgjatë zbatimit, siç pohon Meta, atëherë jemi në një përmbysje të gjithë asaj që publiku dhe mbështetësit e reformës kanë pritur e presin. Si një prej tyre, unë nuk kam pasur ndonjë iluzion se Rama dhe politikanët e tjerë nuk do të donin ta mbanin të kapur si përherë drejtësinë. Bashkautorësia amerikane dhe europiane në konceptim dhe në zbatim ka qenë dhe është garancia numër një që kjo reformë të bëjë ndryshimin e madh të çlirimit nga kapja politike dhe të çojë sundimin dhe veprimin e ligjit në tokën e pashkelur të sferave të larta. Personalisht, e kam konsideruar një fyerje për traditën madhështore të SHBA-së dhe Gjermanisë në lëmin e drejtësisë të mendoj se këto vende do të lejonin t’i jepej drejtësia në dorë kryeministrit të radhës në Shqipëri, apo që ky mund t’u shkasë në atë masë sa t’ua marrë kalanë nga brenda.

“Ramaforma”, si përmbysje e reformës, nëse verifikohet, do të ishte denoncimi i një mashtrimi të madh, do të ishte silurimi i meritave që i jepen asaj në rrafshin ndërkombëtar, do të ishte një dështim i SHBA-së dhe BE-së në Shqipëri. Edhe Meta i bie derës të dëgjojë pragu, duke i akuzuar ndërkombëtarët minimalisht si naivë dhe syleshë. Këto qëndrime do të ndikojnë pa dyshim në rritjen e përkushtimit të partnerëve për drejtësinë e pavarur në Shqipëri.

Por edhe për të bërë transparencë në lidhje me dyshimet apo akuzat për kapje të drejtësisë nga kryeministri. Vendi ka nevojë të njohë të vërtetën. Kështu ruhet besimi. Askush nuk mund ta bëjë këtë më mirë se partnerët ndërkombëtarë. Askush, përveç tyre, mund ta korrigjojë këtë nëse ka nevojë për korrigjim.

Në analizën e fundit, kjo reformë është “fëmija” e tyre, është premtimi i tyre për popullin shqiptar. Opinionin e formojnë provat. Produkti i drejtësisë së re do të flasë vetë. Hezitimi për të hetuar zyrtarë të lartë do ta rrëzonte. Gjyqet me karakter politik gjithashtu. Por s’mund të finalizohen në vend të NATO-s. /Gazeta Liberale