Transmetuar më 22-07-2019, 08:45

Një tjetër shqiptar është gjetur i mbytur në kanalin e Amsterdam-Rhein pranë Nigtevechtit, 85 km larg vendit ku u gjet i vrarë presidenti i vetëshpallur i Çamërisë Festim Lato.

Mediat holandeze raportojnë se nuk dihen ende shkaqet e vdekjes së tij, ndërsa bëjnë me dije se trupi i vdekur i takon një shqiptari 43 vjeç. Ai ishte i humbur prej disa kohësh.

Ai u vu re nga një kalimtar i cili vuri re diçka që po lundronte në ujë. Është e paqartë sesi trupi i pajetë i shqiptarit ka përfunduar në këtë kanal në Holandën Veriore.

Forcat policore po kryejnë hetime të gjera për vdekjen e dyshimtë. Mediat kryesore në Holandë thonë se kjo vrasje mund të ketë lidhje me ekzekutimin e Festim Latos, i vetëshpallur president i Çamërisë.

Festim Lato, president i vetëshpallur i Çamërisë u gjet ditën e djeshme i vdekur në Holandë, vend ku jetonte prej disa vitesh. Ai ka bërë beteja të gjera për njohje të Republikës së Çamërisë. Policia po heton nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën./b.l/noa.al/