Transmetuar më 22-07-2019, 11:56

Shkatërrohet një rrjet i shpërndarjes së lëndëve narkotike të drogave të forta në doza të vogla. Uniformat blu të kryeqytetit bëjnë me dije se kanë arrestuar 3 persona nën akuzën e shpërndarjes të lëndëve narkotike.

Operacioni “Frekuentuesit” nga Antidroga në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr 1, arrestuan në flagrancë M. I., 35 vjeç, G. XH., 43 vjeç, dhe E. F., 22 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është marrë informacion në rrugë operative se në rrugën “Budi”, Tiranë, në katin e parë të një pallati, ndodhet një ambient, ku në bazë të informacioneve dyshohej se persona të ndryshëm e frekuentonin këtë ambient duke tregtuar dhe pirë lëndë narkotike Kokainë.

Në këtë kuadër u organizua dhe finalizua operacioni, duke ushtruar kontroll në ambjentet e lokalit, ku si rezultat këtyre shtetasve iu gjetën disa doza me lëndë narkotike të dyshuar Kokainë, si dhe nga kontrolli i mëtejshëm i ambienteve u gjet dhe u sekuestrua dhe 3.7 kilogramë pluhur i dyshuar përzierës për Kokainën.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe prova të tjera ligjore që do shërbejnë për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale të shpërndarjes së drogave të forta.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, të cilët janë arrestuar në flagrancë, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim./b.l/noa.al/