Transmetuar më 22-07-2019, 20:46

Ish-zëvendësministër Arsimi për një kohë të shkurtër, Taulant Muka, i angazhuar për problemet e mëdha arsimore që po kalon vendi ynë, përmes një denoncimi të titullar “Kuriozitete nga Çudirat në Arsim!”, ka treguar se në Presidencë aktualisht këshilltar për çështje kulturore është një ish-minator para viteve ’90. Para se të merrte këtë detyrë, ai ka fituar më herët statusin e pedagogut, në Artet e Bukura, ku edhe ka përgatitur artistët që kemi sot.

“Punëtor të thjeshtë të lë komunizmi, pedagog dhe këshilltar të zë demokracia!”

“A e dini ju që këshilltari i presidentit për kulturën ka qenë punëtor minierash deri në moshën 34- vjeç (1988)? Me ardhjen e demokracisë u bë pedagog te Akademia e Arteve dhe këshilltar për kulturën në presidencë! Si thoni, ta bëjmë dhe anëtar të Akademisë së Shkencave?!”, ka qenë denoncimi i Taulant Mukës, për rastin në fjalë.

Taulant Muka nuk i përmend emrin, por megjithatë, është lehtësisht e verifikueshme se cili është këshilltari i kulturës në Presidencë. Ky fenomen i karrierës pa asnjë meritë dhe pa lidhje është duke u bërë gjithnjë e më tepër shqetësues në çdo hallkë të Administratës Publike, deri në instancat më të larta, çka “ligjëron” edhe gjendjen reale të kulturës dhe arsimit në vendin tonë.  /a.m/noa.al/