Transmetuar më 23-07-2019, 18:53

Ju kujtohet viti 1999 kur kryetari i PS u zgjodh me një diferencë minimale prej 36 votash? Ju kujtohet shkurti i vitit 1991 kur Berisha fitoi me 9 vota postin e kryetarit përballë Pashkos (5 vota) dhe Meksit (4 vota), ndërkohë që ky i fundit përpara 48 orësh ishte zgjedhur fillimisht kryetar, proces që u ribë nga e para?

Ju kujtohet viti 2005 kur Rama, pasi mori rezultat katastrofik më 2003 në garën për kryetar partie përballë Nanos, tanimë me bekimin e tij ia doli të fitojë postin përballë Meidanit, 297 me 151 vota? Janë kujtime të largëta, shumë të largëta.

Pas tyre “pluralizmi” dhe “konkurrenca” në partitë politike thuajse ka vdekur. Kur ka ndodhur që një kryetar partie të madhe të humbë postin përmes votimit kundër në parti? Mos u lodhni të merreni me arkivin, nuk ka ndodhur asnjëherë. Ah, po, më 2013 një parti e vogël zgjodhi një kryetar të ri, i cili mundi me votë kryetarin në raundin e dytë, por natyrisht rezultati u kontestua. Këtë vit kemi edhe një biznesmen që "demokratikisht" blen një parti të vjetër sa pluralizmi, duke dhuruar një post të lartë kryetarit që largohet!

Modelet që ofrojnë partitë e madha shqiptare? Berisha fitoi më 1991, 1997, 1999, 2001, 2005 dhe 2009, në shumicën e rasteve pa kandidatë rivalë ose me kandidat fiktiv përballë. Rama e mori partinë më 2007, por më 2009 zgjodhi të ketë në garë një kandidat fiktiv dhe pas 2009 zgjodhi të mos ketë as garë formale, as votim.

Prej atëherë ai nuk është votuar në parti, fiks 10 vjet më parë. Basha fitoi garën e përcaktuar më 2013 përballë Olldashit, më 2017 u bë një proces i kontrolluar dhe mori mandatin tjetër. LSI e nisi me Metën më 2004 dhe e vijon me Kryemadhin, brenda të njëjtës familje jo vetëm politike.

Po rivalët e pa-emëruar në garë ose në kongreset zgjedhore? Pashko e Ceka më 1991, Pollo më 1999, Butka më 2005, Olldashi më 2013 apo Selami më 2017, Majko më 1999, Meidani më 2003 dhe 2005, Malaj më 2009, Blushi më 2016, etj? Natyrisht, ose u përjashtuan ose u mënjanuan nga drejtimi politik.

Ku jemi pas 30 vjetësh? Kushtetuta përcakton detyrimin që “organizimi i partive DUHET të përputhet me parimet demokratike”. Cila parti e përmbush këtë kriter? Asnjë. Absolutisht asnjë. Secila ka organizim demokratik në bazë, por sa më larg shkohet aq më pak demokraci ka. Posti i kryetarit është i paprekshëm, madje sfidimi i kryetarëve është krimi më i rëndë në një parti politike. Pasoja? Ai që guxon denigrohet, fyhet, kërcënohet dhe përjashtohet nga politika, pra i merr fund karriera në momentin që guxon të ushtrojë parimin kushtetues të demokracisë brenda partive politike!

Dhe pasi kryetari betoniton postin, zgjedh bashkëpunëtorët e afërt, me dy kritere bazë: asnjë të mos jetë kritik dhe asnjë të mos ketë ambicie dhe aftësi për të qenë rival në të ardhmen. Pastaj vijnë zgjedhjet dhe kryetarët emërojnë deputetët, ministrat, kryetarët e bashkive, drejtorët, pra gjithçka, – dhe kështu, kur një individ sfidon kryetarin ai nuk ka sfiduar vetëm atë, por të gjithë sistemin e klientelës politike e shtetërore, përfshirë edhe oligarkët sponsorë të kryetarëve të paprekshëm të partive politike, median e financiar prej tyre, vrasësit me pagesë në rrjetet sociale dhe policinë militante të partive.

Si veprojnë vendet e qytetëruara që “nuk kanë fatin” të ketë në politikë burrat tanë të shtetit? Ja një shembull nga Britania, vend prej të cilit PS pikën e statusit për kryetar me mandat pushteti (2016) dhe ku PD prej 2018 ka deklaruar se ka marrë modelin e konkurrencës sipas meritës dhe aftësive!

Partia Konservatore e nisi me më shumë se 10 kandidatë garën për kryetar, zhvilloi gjashtë raunde votimi në nivele të ndryshme, bëri debate televizive dhe publike, dhe në fund, ka një kryetar legjitim produkt të garës, konkurrencës, demokracisë funksionale. Johnson e Corbyn në UK, ashtu si Obama apo Trump në SHBA, si Schroeder e Nahles në SPD, Merz apo AKK në CDU, – më siguri nëse do të kishin qenë politikanë në Shqipëri do të ishin përjashtuar ditën e parë të garës, kritikës apo sfidës për kryetarë. Por ata fituan sepse UK, Gjermania, SHBA e çdo vend tjetër perëndimor funksionon me standarde shumë herë më të ndryshme sesa standardet e “çunave problematikë” të Tiranës.

Mjaftojnë detaje të tilla për të kuptuar diferencën e madhe midis fotokopjes së Shqipërisë evropiane që ofrojnë milionerët e oligarkëve në Tiranë dhe Shqipërisë evropiane reale që shqiptarët donin dhe ende duan, modelit që kemi ndërtuar këtu gjatë 30 viteve dhe modelit të familjes demokratike ku aspiruam e aspirojmë të shkojmë, – për të kuptuar edhe se kjo diferencë mbetet pengesa kryesore e pluralizmit dhe demokracisë funksionale, e progresit dhe e ndryshimit. Zgjidhja nuk mund të vijë dhe as të kërkohet tek pakti i radhës midis tyre, për amnistimin e riciklimin e njëri tjetrit, por në ndryshimin e këtij sistemi të korruptuar, duke nisur nga zbatimi i nenit 9 të Kushtetutës, – detyrimin real që organizimi i partive politike të jetë realisht në përputhje me parimet demokratike. /a.m/noa.al/