Transmetuar më 23-07-2019, 20:36

Shqipëria shpesh thuhet po kthehet në një destinacion që tërheq turistë nga e gjithë bota.

Por turistët nga Kosova edhe përgjatë këtij viti vijojnë të jenë pushuesit besnikë të bregdetit shqiptar. Edhe këtë sezon turistik, ata zgjodhën bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet e tyre verore.

Veçanërisht fundjavat shënojnë edhe fluksin më të madh të qytetarëve nga Kosova të cilët i drejtohen jo vetëm bregdetit shqiptar, por edhe destinacioneve të tjera turistike që vendi ynë ofron.

Shifrat e publikuara sot nga INSTAT konfirmojnë faktin se taksa e Rrugës së Kombit nuk ka ndikuar në uljen e numrit të pushuesve nga Kosova, përkundrazi gjatë këtij muaji ato kanë shënuar rritje më të lartë krahasuar me një vit më parë.

Numri i turistëve nga Kosova që zgjodhën këtë qershor për të kaluar pushimet në Shqipëri, sipas INSTAT ka një rritje me 55% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë. Në total kanë hyrë mbi 213 mijë shtetas nga Kosova.

Ndërsa gjatë gjashtë mujorit të parë të 2019, janar-qershor në Shqipëri kanë hyrë 608,649 shtetas nga Kosova. Pra kjo tregon një rritje me 6,4% më shumë shtetas nga Kosova krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018. Kësisoj turizmi me pak fjalë mbahet falë vëllezërve kosovarë. /am.noa.al/