Transmetuar më 27-07-2019, 08:16

Një valë e re emigracioni që përfshin të arsimuarit po shtohet më shumë këtë vit, si pasojë i dekurajimit nga zhvillimet e brendshme dhe lehtësive në procedurat e emigracionit nga Gjermania, të cilat kanë hyrë në fuqi së fundmi. Një anketë që po kryhet aktualisht në këtë kategori gjeti se, punonjës në pozicione drejtuese në industrinë bankare, kompani të mëdha në vend, kanë dhënë dorëheqjen më qëllim emigracioni, jo për arsye ekonomike. Bizneset po kërkojnë punonjës jashtë vendit, ndërsa sistemi arsimor në vend po përshtatet për nevojat e emigrimit. Sektorët e biznesit që po zbrazen nga punonjësit dhe përvojat rajonale dhe shqiptare për të zbutur pasojat

Për shkak të moralit të trazuar, të paaftësisë, ose thjesht për shkak të indiferencës, udhëheqësit politikë të Shqipërisë nuk kanë nisur ende të shpjegojnë pyetjen se përse largohen njerëzit, dhe jo më të zgjidhin problemin. Përkeqësimi i kushteve të demokracisë, zgjerimi i zotërimeve të krimit, korrupsioni i lartë, rritja e ngadaltë ekonomike dhe kushteve e këqija social-ekonomike të ndërthurura me perspektivat në rënie, pritet të nxisin një valë të re emigracioni këtë vit.

Një studim i fundit i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale gjeti se 70% e të rinjve që studiojnë në universitetet shqiptare kanë për qëllim të largohen nga vendi. Profili i ri i emigracionit pas liberalizimit të vizave ka përfshirë të gjitha grupmoshat e popullsisë, në të gjitha qytetet e vendit, duke e çuar drejt zbrazjes së shpejtë, por së fundmi, stafet e mirëkualifikuara që punojnë në kompani me vlerë të shtuar dhe paga të larta.

Një anketë që po kryhet aktualisht në këtë kategori gjeti se, tre punonjës në pozicione drejtuese në industrinë bankare kanë dhënë dorëheqjen, për arsye emigrimi. Ata po e ndërmarrin këtë nismë për një perspektivë më të mirë për fëmijët e tyre, për shkak të ajrit të ndotur në Tiranë dhe mungesës së cilësisë në arsim. Profesor Ilir Gëdeshi, i cili po udhëheq këtë anketë, pohon se gjetjet e para tregojnë se vala e re e emigracionit ndër njerëzit me aftësi të larta nuk kanë të bëjnë me ekonominë, por me rrethanat të cilat janë rënduar ndër vite dhe nuk kanë shpresë të përmirësohen së paku në afat të shkurtër.

Një paketë e re ligjore, e jetësuar së fundmi nga Gjermania, e cila lehtëson më tej kushtet e migrimit, pritet të nxisë emigracionin këtë vjeshtë.

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar më shumë se një herë normal fenomenin, pasi, sipas tij, hendeku ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të BE është shumë i lartë dhe për këtë qëllim, shqiptarët kanë drejtë të lëvizin për një jetë më të mirë. Rama thotë se kjo po ndodh me të gjitha vendet e rajonit.

Por, në fakt, të dhënat tregojnë se ritmi i ikjeve nga shqiptarët është më i larti në botë, në raport me popullsinë, edhe në raport me vendet e luftës, ndonëse Shqipëria është një vend në paqe dhe që po punon prej vitesh të anëtarësohet në Bashkimin Europian, duke u renditur në listën e vendeve të sigurta. Të dhënat e Eurostat tregojnë se rreth 19 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian në vitin 2018, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

Shqiptarët renditen në vend të nëntë për nga numri i azilkërkuesve në vlerë absolute, pas Sirisë, Afganistanit, Irakut, Pakistanit, Iranit, Nigerisë, Turqisë, Venezuelës. Në vend të parë, në vlerë absolute, është Iraku, me rreth 81 mijë aplikime.

Por, në raport me popullsinë, shqiptarët vijojnë të duan të ikin më shumë se kushdo tjetër, edhe se vendet që janë në gjendje lufte. “Monitor” ka përpunuar të dhënat për numrin e azilantëve shqiptarë për 1,000 banorë, ku rezulton se në vitin 2018, për çdo 1,000 banorë aplikuan 6.6 persona, duke u renditur të parët në botë për nga numri i aplikimeve për azilantë në raport me popullsinë.

Biznesit i ikën fuqia punëtore

Me këtë filozofi të trajtimit të problemit, bizneset shqiptare janë lënë krejtësisht të pambrojtura, teksa mungesa e fuqisë punëtore në shumicën prej tyre u shndërrua në shqetësimin kryesor për vitin 2019. Në një rrafsh më të gjerë, industria e turizmit po vuan momentalisht për shkak të sezonalitetit në të cilin ndodhet.

Për një kompani që kërkon kualifikim të lartë, hendeku që krijon emigracioni nuk riparohet me një pagë më të lartë. “Përmirësimi i kushteve të tjera, që lidhen me mjedisin, me infrastrukturën e shkollimit, shëndetit, mjedisit dhe zbatimit të ligjit kërkojnë kohë", thotë profesor Gëdeshi.

Në sfond të emigracionit të lartë, vendet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë përpjekje për të frenuar fenomenin, teksa qeveria e Shqipërisë në një strategji kombëtare për qeverisjen e emigracionit parashikohen që të larguarit t’i zëvendësojë me të huaj duke lehtësuar procedurat e qëndrimit të tyre në vend. Ndërsa Polonia po aplikon disa lehtësi fiskale, duke i përjashtuar të rinjtë që punojnë nga tatimi mbi të ardhurat.

Tendenca e re e emigracionit zhvendoset tek të arsimuarit

Në dekadën e fundit ka një përmbysje të tendencës për emigrim, ku vala e të ikurve është zhvendosur nga të pashkolluarit tek ata me edukim. Profesor Gëdeshi, i cili ka udhëhequr dy anketa mbi potencialin e emigrimit, njërën në vitin 2017 dhe tjetrën në vitin 2018, ka vënë re tendencën në rritje të emigrimit të personave të arsimuar. Të dhënat e anketës të vitit 2007 tregonin se sa më i ulët ishte niveli arsimor, aq më e lartë ishte dëshira për migrim.

Kjo shpjegohej me faktin se njerëzit e paarsimuar dhe të pakualifikuar ishin të papunë ose kishin vështirësi në gjetjen e një pune në Shqipëri dhe dëshironin të migronin (kryesisht në Itali dhe Greqi). Ndërsa ata që zotëronin një profesion, ose kishin një arsimim më të lartë, e kishin më të lehtë të integroheshin në tregun e punës në Shqipëri. Ka edhe një arsye tjetër që e shpjegonte këtë tendencë. Anketa me migrantët e kthyer në vitin 2007 tregonte se të kthyerit me arsim terciar kishin punuar në Greqi si punëtorë të pakualifikuar dhe shpesh në sektorin informal, çka nuk nxiste të tjerët të migronin.

Në vitin 2007, rreth 40% e personave me arsim të lartë donin të largoheshin nga vendi. Në vitin 2018, kjo tendencë është rritur me 13 pikë përqindje, pasi 53.7% e personave me arsim të lartë kanë pohuar se po planifikojnë të largohen nga vendi. Dekadën e fundit ka një lidhje më të fortë midis edukimit dhe dëshirës për emigrim. Të dhënat e anketës sonë tregojnë se migrimi potencial është më i lartë për personat me edukim profesional, terciar dhe sekondar.

Ky fakt, nga njëra anë, shpjegohet me mundësitë më të mëdha të punësimit në Gjermani, në vendet e zhvilluara të BE dhe në Amerikën e Veriut. Në kushtet kur konkurrenca globale po rritet, vendet e zhvilluara rrisin gjithnjë e më shumë kërkesën për persona të kualifikuar. Këtij interesi i përgjigjet pakënaqësia, mundësitë e pakta dhe kushtet e punës në Shqipëri.

Shqiptarët po arsimohen për të ikur

Dëshira për të migruar në Gjermani dhe në vende të tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore mund të shërbejë si nxitje për arsimim, kualifikim profesional dhe mësimin e gjuhës së huaj nga ana e emigrantëve potencialë. Kështu, sipas një interviste të zhvilluar në Institutin Goethe në Tiranë, numri i të rinjve që mësojnë dhe marrin dëshminë e gjuhës gjermane është rritur tre herë në vitin 2017 në krahasim me vitin 2013.

Në shumë nga intervistat e realizuara nga CESS-i me azilkërkuesit e kthyer nga Gjermania vërehej interesi për të kryer shkolla profesionale në mënyrë që t’u përshtaten kërkesave të tregut të punës në këtë vend, në rast të një migrimi të mundshëm.

Interesi në rritje i emigrantëve potencialë për arsim dhe trajnim profesional provohet edhe nga të dhënat e anketës së emigrimit potencial, 2018. Thuajse 85% e emigrantëve potencialë dëshirojnë të marrin pjesë në një trajnim në Shqipëri për t’u përgatitur për të jetuar dhe për të punuar jashtë vendit. Emigrantët potencialë që dëshirojnë të marrin pjesë në këto kurse shprehin më shumë interes për mësimin e gjuhës së huaj (72.3%), trajnim profesional (39.1%), orientim kulturor (22.9%) dhe studime universitare (17%)

Ky interes për t’u përgatitur për të punuar dhe për të jetuar në vendin e migrimit ka një rritje të dukshme në krahasim me anketën e vitit 2007, kur vetëm 48.7% e migrantëve potencialë shprehte këtë dëshirë. Kjo dëshirë duhet mbështetur, sepse rrit kapitalin human të vendit dhe atë të migrantit potencial. Të dhënat e anketës tregojnë se studentët dhe të punësuarit janë më të prirë të migrojnë në krahasim me të papunët, të vetëpunësuarit dhe shtëpiaket. Kjo tregon se punësimi në vetvete nuk parandalon emigrimin.

Sektorët me prirje më të madhe për të ikur

Kushtet e punës, pagat e ulëta dhe mungesa e perspektivës janë disa nga faktorët që i shtyjnë njerëzit të emigrojnë. Të dhënat e anketës tregojnë se në disa sektorë të ekonomisë dhe në disa profesione, si në shëndetësi, call center, rrobaqepësitë, këpucaritë, ndërtim, etj., njerëzit janë më të prirë të migrojnë,

Anketa mbi potencialet e emigrimit gjeti se punonjësit e call center, që përgjithësisht janë me universitet ose vazhdojnë studimet dhe përgjithësisht zotërojnë një gjuhë të huaj, duan të ikin. 85% e të anketuarve në këtë sektor pohuan se duan të ikin. Gjithashtu 75% e infermierëve, 56% e punonjësve në sektorin e ndërtimit duan të ikin, 53% e rrobaqepësve dhe 38% e tyre që punojnë në fabrikat e këpucëve.

Mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një problem madhor për të gjithë sektorët. Përfaqësuesit e industrisë kryesore në vend pohuan se përveç ambientit jo shumë favorizues për sipërmarrjet, mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një sfidë për të cilën zgjidhjet janë të vështira.

Industria fason, bujqësia dhe turizmi kanë filluar të vuajnë më së shumti mungesën e punonjësve. Por ankesa janë vërejtur në të gjithë sektorët, sidomos në shërbimet publike të mjekësisë. Mungesa e specialistëve shëndetësorë në vitet e fundit ka prekur edhe spitalet rajonale dhe qendrat universitare, për shkak të nivelit të lartë të emigracionit.

Emigracioni i ri, 80% nën 34 vjeç

Mesatarisht, 80% e aplikuesve për herë të parë për azil ishin më të rinj se 34 vjeç. Në 2018-n, sipas Eurostat, 79.3% e azilkërkuesve shqiptarë i përkisnin kësaj grupmoshe, 29% e tyre ishin më të vegjël se 18 vjeç, ndërsa 50% e aplikuesve i përkisnin grupmoshës 18-34 vjeç. Aplikantët për azil, për herë të parë nën 34 vjeç, përbënin 1% të popullsisë së asaj grupmoshe, raporton revista Monitor.

Numri total i aplikimeve për herë të parë i të rinjve, sipas publikimit të Eurostat është 140,390 nga viti 2009. Sigurisht, që edhe për këtë grupmoshë, rekordi i aplikimeve u shënua në vitin 2015, me një numër prej 53,175 aplikimesh. Në tre vitet në vijim, numri i aplikimeve të reja ka rënë.