Transmetuar më 27-07-2019, 18:22

Feston sot ditëlindjen kapiteni legjendar  i kuqezinjve, Lorik Cana.

Ai mbushi sot 36-vjeç, në një festë që e zhvilloi me familjarët dhe rrethin e ngushtë shoqëror në mënyrë private.

Cana udhëhoqi Kombëtaren e Shqipërisë drejt suksesit të saj të parë historik, në finalet e Euro 2016, në Francë.

Ishte në fakt një premtim i tij, që e mbajti, dhe pas këtij suksesi Cana vendosi të tërhiqej nga futbolli.

Lorik Cana iu bashkua kuqezinjve në vitin 2003, kur ishte pjesë e PSG. Ai kishte në atë kohë edhe nënshtetësi Zvicerane dhe Franceze, por fare i ri në moshë preferoi të vishej kuqezi.

Periudha që ai udhëhoqi Kombëtaren mund të konsiderohet epoka e artë e Shqipërisë.

Lorik Cana dhe shokët e tij për një dekadë e më shumë u bënë simbol i zhdukjes së kufijve Shqipëri-Kosovë.

Sot e kësaj dite Cana i qëndron idesë se Shqipëria dhe Kosova janë “Një” dhe çdo sukses më vete i Shqipërisë apo i Kosovës është sukses i përbashkët i kombit Shqiptar.

Ish-kapiteni që frymëzoi kuqezinjtë drejt sukseseve historike shpreson se një ditë Shqipëria dhe Kosova do të kenë një ligë dhe një Kombëtare A të përbashkët e nuk do të rivalizojnë apo ndajnë sukseset në distancë.

Djali i një ish-futbollisti, Agim Cana, Lorik Cana lindi në Prishtinë më 27 korrik 1983. Para se të kalonte në Francë, ishte rritur dhe e kishte nisur karrierën në Zvicër. U aktivizua me ekipet të mëdha e të njohura si Lazio, Gallatasarai, Olimpik Marsejë, Nantë e Sunderland.

Është i martuar me Monica Ercoli prej vitit 2014 dhe ka një djalë.

Mbetet idhull i tifozëve kuqezi dhe frymëzim i sukseseve  për të rinjtë shqiptarë brenda dhe jahsë kufijve. Edhe 100 të tjera kampion! /a/m/noa.al/