Transmetuar më 29-07-2019, 16:48

Në disa fakultete ka nisur aplikimi i pranimit të studentëve për vitin e ri akademik.

Fakulteti Ekonomik, i Universitetit të Tiranës është fakulteti që pranon numrin më të lartë të studentëve, kjo për shkak të kërkesave të tregut, ndonëse nuk ka një studim të mirëfilltë që të tregojë sa është numri real i nevojës që ka tregu shqiptar për ekonomistë.

Janë disa fakultete publike dhe private të universiteteve shqiptare që përgatisin ekonomistët e ardhshëm, ndërsa Fakulteti Ekonomik i UT gjithsesi mbetet elitari në këtë drejtim.

Megjithatë problemin e punësimit pas studimeve e hasin thuajse të gjithë studentët, në thuajse të gjitha fakultetet.

Për këtë arsye kandidatët për studentë, që do të aplikojnë këtë vit për në universitetet publike, duhet të jenë të kujdesshëm në përzgjedhje e degëve të studimit.

E rëndësishme për ta është të përzgjedhin ato programe studimi që ofrojnë një mundësi të sigurt punësimi në të ardhmen.

Dekani i Fakultetit Ekonomik në Tiranë Prof. Dhori Kule i ka këshilluar të rinjtë të orientohen mbi të gjitha nga tregu i punës. Ai tha se 1200 kuota do të ketë këtë vit Fakulteti Ekonomik, dhe kjo shifër është përcaktuar në bazë të kërkesës së tregut të punës.

Këtë vit për herë të parë Fakulteti Ekonomik do të ofrojë mundësinë për rreth 300 studentë që të zhvillojnë mësimin vetëm në gjuhën angleze.

Kriteret e pranimit për këtë fakultet edhe këtë vit nuk kanë ndryshuar. 50 për qind të vlerësimit e ka nota mesatare e 3 viteve të shkollës së mesme dhe 50 për qind e 4 lëndë ve si matematika, fizika, ekonomia dhe gjuha e huaj./a.m/noa.al/