“Haradinaj në Kushtetuese për dorëheqjen”, Zëri i Amerikës: Në Kosovë, sheshazi përplasjet politike
Transmetuar më 29-07-2019, 17:49

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, dërgoi të hënën në gjykatën Kushtetuese kërkesën për të sqaruar aktin e dorëheqjes së tij dhe qartësimin e kompetencave dhe funksionimit të qeverisë pas këtij vendimi.

Kështu e ka nisur një artikull Zëri i Amerikës, duke i kushtuar një vëmendje të posaçme dorëheqjes së Haradinajt si dhe situatës më të fundit politike në Kosovë. Në artikull nënvizohet ndër të tjera se para dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dolën  në pah kontradikta të shumtë brenda klasës politike në Kosovë.

“Kërkesa e tij, pasoi reagime të shumta të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile për përgjegjësitë e kryeministrit të dorëhequr, rasti i parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Zoti Haradinaj tha sot se qëllimi i kërkesës është jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes në mënyrë që të shmanget boshllëku institucional, por edhe që interpretimi i Gjykatës Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen.

“Nuk është që jeta ndalet në këtë periudhë kohore, mirëpo e shoh një dëshirë që të përzihen temat, unë kam dhënë dorëheqje, pra kam dhënë dorëheqje, një qeveri duhet të dal nga zgjedhjet por deri sa nuk vjen ajo qeveri, kush mban përgjegjësi për qeverisjen në vend. Këtë përgjigje askush nuk po e jep dhe unë nuk guxoj ta lë në kaos vendin derisa nuk është zgjedhur një qeveri tjetër dhe për këtë arsye ju kemi drejtuar gjykatës Kushtetuese megjithatë i siguroj qytetarët e vendit që nuk do të lejojmë boshllëk institucional qeverisës, por për të qenë në anën e ligjit iu kam drejtuar gjykatës Kushtetuese”,tha ai.

Ai tha se kushtetuta e Kosovës nuk e ka caktuar se çfarë ndodhë kur një kryeministër jep dorëheqje.

Zoti Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme dhjetë ditë më parë pasi që u thirr për t’u marrë ë pyetje nga prokuroria e posaçme në Hagë.

Këtë javë, pritet që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të fillojë këshillimet me partitë politike për veprimet e mëtejme pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Por, zoti Haradinaj tha se ende nuk ka marr ftesë nga presidenti i vendit ndërsa ka këkruar nga partia e tij që të filloj këshillimet me partitë tjera në parlament për të shpërbërë parlamentin.

“Presidenti ka paralajmëruar por ende nuk kemi marr ftesë zyrtare për takim por mirë është që të respektohen afate kohore pra të parapara nga kushtetuta dhe ligjet për të vepruar. Është interes i të gjithë neve”, tha ai.

Ai tha se situata është shumë e thjeshtë pasi që të gjitha partitë politike janë të gatshme për zgjedhje ndërsa ka ftuar për nesër në një takim konsultues partnerët e koalicionit qeverisës.

Dorëheqja e zotit Haradinaj i dha fund koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate që garuan së bashku ne zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të vitit 2017. Ngritja e qeverisë Haradinaj u bë në fillim të shtatorit të atij viti dhe përgjatë tërë kësaj kohe u përball me vështirësi në kalimin e ligjeve në parlament për shkak të votave të pakta.

Pak ditë para dorëheqjes së zotit Haradinaj dolën sheshazi më shumë se kurrë edhe përplasjet e brendshme ndërmjet drejtuesve të koalicionit qeverisës që lidheshin më shumë me qasjen ndaj tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Serbinë.

Tash për tash të gjitha partitë politike janë shprehur në favor të zgjedhjeve të parakohshme.”

/a.m/noa.al/

Loading...
Loading...