Moldavët tallen me RTSH-në, i kërkojnë 70 mijë euro, nuk do të transmetohet ndeshja e Partizanit
Transmetuar më 31-07-2019, 15:29

Klubi moldav i ka kërkuar 70 mijë euro Televizionit Publik Shqiptar, për pasqyrimin “live” të ndeshjes mes Sheriff Tiraspol dhe Partizanit, e vlefshme për raundin e dytë kualifikues të Europa League. Ndeshja e parë u mbyll 1-0 në favor të moldavëve, por tifozët shqiptarë nuk do të kenë asnjë mundësi që të ndjekin ndeshjen e kthimit, ngaqë edhe në Moldavi Sheriff ia ka shitur të drejtën një kanali kabllor.

Ndërkohë TVSH reagoi duke thënë se moldavët janë tallur me ta, edhe kur erdhën në Tiranë.

Televizioni publik nënvizon se “nuk ka munguar as me transmetimet live të pjesës dërrmuese të ndeshjeve, një sakrificë jo e vogël në aspektin financiar.”

Kukësi, Partizani, Laçi apo Teuta në duelet e tyre kontinentale janë pasqyruar në ekranin publik, dritarja e vetme e transmetimeve të ekipeve tona gjatë muajit Korrik, në kompeticione europiane.

RTSH u kujdes gjithashtu që pas sfidës së parë Partizani-Sheriff Tiraspol, të serviret falas për të gjithë shqiptarët edhe duelin e kthimit që do të luhet në Moldavi të enjten, por sjellja “anti-transmetim” e klubit moldav ka nisur qe përpara ndeshjes se parë në Tiranë duke bllokuar çdo mundësi që shqiptarët ta ndjekin në ekranin publik edhe duelin e dytë.

RTSH hyri në bisedime për të shkëmbyer sinjalin, pra me terma më të thjeshtë, të ofronte falas për moldavet transmetimin në Tiranë, në këmbim të transmetimit në Moldavi, ashtu si ndodhi me Qarabag, por përgjigja nga Klubi i Tiraspolit ka qenë e prerë pasi sipas tyre, nuk ju interesonte aspak transmetimi i ndeshjes së parë në Shqipëri.

Kërkesës së RTSH për të blerë të drejtën televizive për ndeshjen në Moldavi, përfaqësuesit e Sherifit i janë përgjigjur me një shifër jo normale.

“Shefi i klubit ka kërkuar 50.000 € për të drejtën e transmetimit, përpara se të luhej sfida në Tiranë. Ndërkohë që ditët në vijim, klubi i Sherifit ka shtuar dozën e kërkesave financiare deri në 70.000€ pa përfshirë kostot e prodhimit të sinjalit, një shifër e papranueshme edhe për një sezon dhe jo më për një ndeshje të vetme”, ka qenë sqarimi që ka bërë Televizioni publik, lidhur me ndeshjen.

“Tallja e moldavëve ndaj transmetimit ka vijuar edhe në vendin e tyre, pasi të drejtën televizive për territorin e vet, ia kanë kaluar një televizioni lokal kabllor, TCB, i cili nuk transmeton në satelit, ndërkohë që duket qartë që në kronikën e këtij televizioni janë përdorur pamje të RTSH-së pa të drejta transmetimi, ashtu siç klubi ka bërë edhe në faqen e vet zyrtarë ku ka publikuar momentet më pikante të ndeshjes me logon e televizionit publik shqiptar.”

Në këtë mënyrë, RTSH e ndjen për detyrë të informojë publikun shqiptar se ndeshja mes Sheriff Tiraspol dhe Partizanit nuk do të transmetohet për arsyet e sipërpërmendura, pavarësisht përpjekjeve dhe dëshirës së stafit të televizionit publik për të mos munguar as në këtë takim vendimtar për skuadrën e Partizanit.

Ekipi i Partizanit sapo ka mbërritur në qytetin e Tiraspol dhe është akomoduar në hotel "Rusia". Në orën 19:00 sipas orës lokale, sot skuadra do të zhvilloj edhe seancën e programuar stërvitore në "Sheriff Stadium", ndërkohë nesër në të njëjtën orë zhvillohet edhe ndeshja. /a.m/noa.al/

/a.m/noa.al/

Loading...
Loading...