Koncesionet, anti-informaliteti, teatri dhe standardet e shumëfishta të qeverisjes!
Transmetuar më 03-08-2019, 07:30

Kjo verë është e nxehtë, jo vetëm për temperaturat, por edhe për zhvillimet politike. Ngjarje, që për nga rëndësia e tyre duhet të kishin marrë më shumë kohë, diskutime e debate paraprake, po ndodhin me një shpejtësi “hileqare”, si për të larguar vëmendjen nga njëra-tjetra.

Menjëherë pas mbarimit të votimeve, që nuk prodhuan asnjë alternativë për zgjedhësit, përveç llumit të filxhanit të kafesë, që solli dhe mosreagimin më të madh të pas viteve ‘90, kryeministri Rama u shfaq papritur i ashpër ndaj informalitetit.

Sikur ai të vinte papritmas nga Hëna dhe të zbulonte se në Shqipëri ka evazion, se pjesa më e madhe e bizneseve nuk lëshojnë faturë, se bizneset shmangin taksat dhe nëndeklarojnë pagat e punonjësve të tyre.

Nuk kemi asgjë kundër luftës ndaj informalitetit. Përkundrazi, “Monitor” ka mbështetur gjithnjë formalizimin e ekonomisë, teksa evazioni, për hir të së vërtetës, është i lartë. Shqipëria ka sot rendimentin më të ulët të mbledhjes së të ardhurave tatimore, me rreth 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), që është rreth 8-10 pikë përqindje më e ulët se mesatarja e vendeve të rajonit.

Por, lufta ndaj informaliteti kërkon një strategji afatgjatë, gjithëpërfshirëse, një analizë të detajuar të faktorëve dhe shtigjeve që nxisin evazionin dhe jo e përqendruar në aksione dhe klithma që synojnë të fusin tmerrin te bizneset (ato të voglat, kuptohet, se të mëdhatë e gjejnë ndryshe gjuhën), apo show-t sa për sy e faqe me të mëdhenjtë. Ashtu siç tregoi aksioni famëkeq i shtatorit 2015, kjo frymë tmerri dhe sidomos përqendrimi i aksionit tek të vegjlit nuk premton asgjë rezultat pozitiv. Në 2015-n, të ardhurat në buxhet, përkundrazi, shënuan rënie, klima e biznesit u përkeqësua dhe qeveria u detyrua të tërhiqej, të kthente pllakën e të kishte një frymë bashkëpunuese me biznesin. Kjo zgjati vetëm pak dhe qeveria u kujtoi bizneseve sërish kërbaçin.

Sot, kryeministri Rama, me të drejtë, u kërkon bizneseve të jenë të përgjegjshëm në sjelljen e tyre ndaj shtetit, të japin kuponë, të paguajnë taksat, të deklarojnë fatura. U kërkon individëve të bëhen palë me shtetin dhe të mos largohen nga dyqani pa marrë kuponin. Një përgjegjësi ama që qeveria nuk duket se po ua kthen atyre mbrapsht në mënyrën se si po i shpenzon paratë e taksapaguesve. Të paktën për 10 vitet e ardhshme, buxheti i shtetit është angazhuar të paguajë faturat prej 2 miliardë eurosh të koncesioneve për vetëm 14 projekte . Shuma e pagesave vjetore në disa vite do të jetë sa një e treta e investimeve kapitale që kryen buxheti me paratë e taksapaguesve, duke e kufizuar vendin në realizimin e projekteve të reja që mund të jenë shumë më të domosdoshme.

Për shumë nga këto projekte mungojnë të dhënat për eficiencën e tyre, kostot po rezultojnë të fryra dhe vazhdojnë e rriten dhe ka pak të dhëna që ato do të ndikojnë në rritjen e produktivitetit dhe vlerës së shtuar të ekonomisë që, nga ana e saj, do të ishte stimuli më i mirë për të nxitur bizneset, çka do të rriste rendimentin fiskal pa pasur nevojë për gjuhën e kërbaçit. Barra e koncesioneve mund të bëhet një bumerang, por për fat të keq nuk i kthehet qeveritarëve që e hedhin, por taksapaguesve që mund të detyrohen të paguajnë më shumë taksa dhe qytetarëve që do të marrin më pak shërbime, në raport me vlerën e taksave.

Kjo qeveri, që sot po u kërkon qytetarëve dhe bizneseve të jenë të përgjegjshme e të paguajnë taksat, vetë e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese, i përdor gjykatat sipas interesit të vet (kujtojmë rastin e Gjykatës së Parë të Shkallës së Durrësit që dha dy vendime të ndryshme për kandidaten për kryebashkiake), i interpreton ligjet sipas interesit të vet, ose i shpërfill fare ato.

Rasti më flagrant është nxitimi për prishjen e Teatrit Kombëtar, kur nuk ka një urdhër dhe arsyetim ligjor për këtë, kur nuk ka filluar ende procesi i tenderimit publik, kur sapo është hapur procedura për ngritjen e një komisioni që do të vlerësojë negocimin e kontratës me palën private që do të ketë në objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar.

Ky është shteti që u kërkon qytetarëve të vet të zbatojnë ligjin dhe që vetë sillet me gjuhën e të fortit. Ky është shteti që acarohet kur qytetarët tentojnë t’ia kthejnë me të njëjtën monedhë dhe nuk ngurron të përdorë forcën dhe dhunën mbi ta. Ky është shteti që atë pjesën tjetër “indiferente” po e detyron të largohet sa më parë nga vendi, duke rrezikuar të mbetemi me më pak se 1 milion banorë në dekadat e ardhshme. Shteti që mendon për shtetin duhet të marrë fund, pushteti është i qytetarëve (që fatkeqësisht sot vetëm teorikisht kanë të drejtën e votës) dhe duhet t’u kthehet atyre sa më parë!

Loading...
Loading...