Transmetuar më 03-08-2019, 11:27

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit gjobit me 2.2 milion lekë dhe pezullon aktivitetin e sipërmarrësit italian, operonte pa licencë prej 7 vitesh duke u kthyer në burim shqetësimi për komunitetin.

Drejtoria Rajonale e AKU Tiranë, pas të dhënave të marra “denoncim nga një grup banorësh në zonën e Kodrës së Diellit”, ushtroi kontroll në subjektin “Gioaçhino Raia” me aktivitet “Tregtim dhe prodhim të produkteve të brumit” dhe përfaqësues ligjor shtetasin italian Gioacchino Raia. Kontrolli i kryer evidentoi se: subjekti inspektohej për herë të parë (nuk ekzistonte në asnjë regjistër të AKU); aktiviteti zhvillohej përgjithësisht konform me ligjin; si dhe përfundoj me dhënien e masës administrative “Paralajmërim”.

Në kushtet kur subjekti inspektohej për herë të parë, ndërsa kishte 7 vjet që operonte në treg në kushte informale, dhe kur pretendimet objekt denoncimi nga banorët nuk u konstatuan, DRAKU Tiranë ndërmori Ri-Inspektim të subjektit (proces i kryer nga një tjetër trup inspektuese).

Nga ri-inspektimit rezultoi se: subjekti ushtronte aktivitetin i pa pajisur me licencën përkatëse; tregtonte produkte të paetiketuara dhe të pa notifikuara; si dhe nuk zbatonte sistemin e vetëkontrollit (HAÇP).

Për shkeljet ligjore të konstatuara, trupa ri-inspektuese vendosi ndaj subjektit: 3 masa administrative “Gjobë” në vlerën totale 2 200 000 lekë, si dhe “Pezullimin e aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme, deri në plotësimin e kërkesave ligjore dhe licencimin.

Me qëllim trajtimin rigoroz të shqetësimeve të qytetarëve, por edhe garantimin e një procesi të rregullt administrativ për operatorin e biznesit, të dy praktikat e inspektimit do të jenë objekt hetimi administrativ nga struktura përgjegjëse të Drejtorisë së Përgjithshme të AKU.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon të gjithë konsumatorët që të bashkëpunojnë duke denoncuar çdo rast shkelje/abuzimi, duke kontribuar kështu në përmirësimin e mëtejshëm të Sigurisë Ushqimore në vend. /a.y/noa.al