Moody’s dhe S&P japin vlerësimin B+ dhe perspektivën e qëndrueshme
Transmetuar më 03-08-2019, 14:21

Ditën e sotme dy agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit Moody’s dhe Standard &Poor’s konfirmuan vlerësimin B+ për Shqipërinë me pritshmëri të qëndrueshme.

Ky konfirmim bazohet në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe vijimësinë e saj në periudhën afat-mesme; uljen e borxhit publik dhe deficitit, si dhe përmirësimi i llogarisë korrente dhe përballueshmërinë e tyre nga flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte.

Agjencitë vlerësojnë se profili makroekonomik i Shqipërisë si dhe parametrat e borxhit kanë vazhduar të përmirësohen. Vlerësimi i qëndrueshëm merr në konsideratë nga njëra anë përmirësimin e profilit makroekonomik, progresin në reformat strukturore dhe institucionale, si dhe konsolidimin fiskal të arritur gjatë viteve të fundit.

Vlerësohet se dinamika e rritjes ekonomike është përmirësuar gjatë viteve të fundit me perspektivën ekonomike të favorshme, pavarësisht moderimit të rritjes gjatë këtij viti. Situata e jashtme sidomos e rritjes në vendet partnere të tregtisë, si dhe luhatjet klimaterike përbëjnë rreziqet kryesore ndaj rritjes.

Pavarësisht se situata e fundit politike identifikohet si një rrezik për perspektivën ekonomike dhe për ritmin e implementimit të reformave strukturore, agjencitë vlerësojnë se qeveria shqiptare do të vijojë me axhendën e reformave në afatin e mesëm, në linjë me aspiratat për integrimin në BE.

Autoritetet po vijojnë në mënyrë aktive përpjekjet për të rritur qëndrueshmërinë e borxhit publik. Agjencitë parashikojnë vazhdimin e konsolidimit fiskal dhe vijimësinë e uljes së borxhit publik, në përputhje edhe me rregullin fiskal, si dhe vlerësojnë pozitive përpjekjet e autoriteteve për të përmirësuar administrimin e të ardhurave.

Gjithashtu vlerësohen planet për të rritur rolin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në vlerësimin e rreziqeve të mundshme të PPP.

Vlerësohet se cilësia e institucioneve shqiptare është përmirësuar në vazhdën e rrugëtimit drejt BE, gjë e cila mbështet perspektivën pozitivetë rritjes afatmesme. Progres i dukshëm është bërë në reformën në drejtësi, e cila po vijon, si dhe në luftën kundër ekonomisë informale, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkohë që progresi në fushat e “sundimit të ligjit” dhe “të drejtave të pronësisë” ka përmirësuar klimën e biznesit.

Loading...
Loading...