Transmetuar më 05-08-2019, 00:25

Ndërkohë që në Kosovë përvijohet një aleancë ish titistësh, e ricikluar nën petk kombëtar, që del bashkë në zgjedhje për t’ju kundërvënë Parive të korruptuara katundare të atjeshme, në Shqipërinë Londineze dalja hapur e kursit shoven të fqinjit tonë Jugor lihet në heshtje nga Paria e Tiranës.

Askush nuk flet me seriozitet për Nea Dhemokratian në pushtet, nga i erdhën votat, nëse korrespondojnë përpjestimisht me uljen e Agimit të Artë, apo si po përkthehet kjo në politikën e jashtme. Askush nuk ndihet mbi deklarimet e portaleve pranë Qeverisë Rrulindëse se "një pjesë e Ushtrisë Greke nuk i njeh kufinjtë aktualë", dhe deklaratat e Presidentit për tërmet merren literalisht e jo gjeostrategjikisht edhe pse ai kërkon mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sugurisë e jo atij të Emergjencave.

Zhvendosja e trupave greke në Veri shqetëson më shumë Ankaranë se sa Tiranën zyrtare. Djaloshin simpatik në krye të Diplomacisë e nënqeshin hapur dhe prej tij s’mund të pritet më shumë se sallator fjalësh. Nëse kërkoni Opozitë që të ngrejë alarmin, është përpjekje e dështuar në krye të herës sepse ata e kanë hallin si do t’u dalë pazari që po përpiqen të gjejnë me Ramën, e jo të mbrojnë Shqipërinë. Të gjitha palët e Parisë kanë vendosur duart para duke thënë "jemi në NATO, nuk na prek kush". Mirëpo, në NATO është edhe Turqia dhe Greqia por kjo nuk i ka penguar konfliktet për ishuj të pabanuar apo Qipron (burimet natyrore janë shkaku real i përplasjes). Ish deputeti socialist Zabit Brokaj shprehej para disa muajsh se midis Janinës dhe Tiranës nuk ka asnjë garnizon ushtarak shqiptar. Pra ne jemi open land, tokë e hapur. Mirëpo Greqia ka punuar aq lirshëm këto vite sa skenari Ukrahinas me ushtarakë pa uniformë e mercenarë vendas nga Himara po edhe Tirana është gati, mungon thjesht vendimi final.

Ne kemi pesëmijë ushtarakë në lirim të trajnuar për t’u përballur me rreziqe të këtij lloji por shumë syresh kanë gjetur rehati tek palët e Parisë, shumë janë larguar e rrijnë në heshtje, e shumë të tjerë kanë hapur biznese të reja me aftësitë e vjetra dhe i vihen në shërbim prurësit më të parë.

Mirëpo realiteti është i zymtë, Paria e shitur disafish do të punojë për të ruajtur veten e jo atdheun dhe mekanizmi duket se ka filluar të dalë në sipërfaqe, pra "les jeux sont fait", puna ka kry.

Pyetja shtrohet ne shqiptarët do presim të n’a bjerë bixha në ruletën e historisë me shpresën e dembelit "Zoti e bën mirë", apo do bëjmë diçka për të parandaluar copëtimin e mëtejshëm?

Shënim i redaksisë: Qëndrimet e autorit janë personale