Transmetuar më 05-08-2019, 14:16

Janë orë përcaktuese për të ardhmen e Paul Pogba. Francezi ka qenë dhe mbetet objektivi kryesor i Real Madrid në këtë merkato vere.

Ekipi i Zinedine Zidane ka vuajtur shumë në miqësoret që ka zhvilluar, 4 humbje dhe vetëm një fitore, 16 gola të pësuar, një situatë alarmante e cila detyron klubin spanjoll të futet sërish në merkato.

Sipas të përditshmes spanjolle “AS”: Real Madrid do të provoj dhe një herë të mbyll marrëveshjen me Pogba, kanë kohë deri më 8 gusht, ditë në të cilën mbyllet merkato në ishullin britanik.

Man.United po reziston më shumë se sa parashikohej, as që kanë ndërmend të heqin dorë nga shërbimet e Pogba, pa marrë atë që kërkojnë, minimalisht 150 milion euro kesh.

“Djajtë e Kuq” kërkojnë 150 milion euro për Pogba, por Florentino Perez dhe bashkëpunëtorët e tij pretendojnë të marrin shërbimet e futbollistit, duke ofruar disa lojtarë në shkëmbim. Përveç Gareth Bale, në oferën e fundit të madrilenëve është vendosur edhe emri i James Rodriguez si dhe një çek me 30 milion euro.

Një ofertë e rëndësishme, që mund të zhbllokojë sërish tratativat për atë që do të ishte një nga transferimet më të bujshme të merkatos së verës./b.l/noa.al/