Transmetuar më 07-08-2019, 09:27

Operacioni i koduar “Plazh i lirë” për lirimin e hapësirave të zëna për pushuesit, është shtrirë në Vlorë dhe Durrës.

Kjo ka bërë që të procedohen 12 pronarë subjektesh, nga këta gjashtë në Durrës dhe gjashtë në Vlorë, për veprat penale “Zënia e hapësirave publike”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mos lëshimi i kuponit tatimor”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.

Policia e Durrësit në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, kanë vijuar operacionin për lirimin e hapësirave publike, duke vënë në dispozicion të pushuesve rreth 2000 m2 plazh, pronë publike e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunimin me Task-Forcën e ngritur nga Prefekti i Qarkut Durrës dhe Policinë Bashkiake, në vijim të punës për monitorimin, kontrollin dhe goditjen e informalitetit, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: L. B., F. B., O. D., F. R., A. C., S. B., të gjithë banues në Durrës.

Procedimi ndaj tyre filloi pasi nga kontrolli i ushtruar, u konstatua se këta shtetas kishin zënë me çadra plazhi, hapësirat publike në bregun e detit pa leje nga organet përkatëse.

Në Vlorë në vijim të kontrolleve të subjekteve tregtare të cilat kanë zaptuar plazhet publike bregdetare në mënyrë të paligjshme, policia ka proceduar penalisht gjashtë administratorë subjektesh në Radhimë dhe Himarë, konkretisht shtetasit B. D., P. K., M. K., M. Dh., S. Sh., dhe A. Z.

Policia ka nisur procedimet penale për secilin prej tyre, pasi nga kontrollet e ushtruara në subjektet tregtare në plazhet e Radhimës dhe Gjipesë, është konstatuar se këta shtetas kanë ushtruar aktivitetin “Plazh Privat” me mungesë të theksuar dokumentacioni, nuk lëshonin kupona tatimorë dhe nuk kishin kontratë qiraje me Bashkitë përkatëse.

Bëhet me dije se operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin. /a.y/noa.al