Transmetuar më 08-08-2019, 13:10

Qysh fëmijë e dija se për shkak të kushurinjve të arratisur ose në burgje dhe internime, mbiemri Ypi ishte sa i lavdishëm dhe problematik. Kur isha nja 10 ose 12 vjeç, një mbrëmje, daja që kishte ardhur për vizitë, i tha babait; -Po të merr më qafë mbiemri Ypi. Ruaje veten, familjen. Na ruaj dhe ne të tjerët. Ndërroje mbiemrin. -Si ta bëj ? e pyeti babai. -Bëje "Shkëmbi". Fisniku, aristokrati, patrioti, eruditi, folësi i katër gjuhëve të huaja, babai anglofil që katër fëmijëve nuk ua vuri emrat Hasan e Hysen, Merjem e Myzejen, por Dezdemona, Elizabeta, Edison, Eduard, ju përgjigj dajës me kërcënim; -Kurrë nuk do ta ndërroj mbiemrin ! Ypi elegant monosijabik, i shkurtër me vetëm tre gërma, muzikor me dy zanore të pafundme dhe një bashkëtingëllore të butë në mes, Ypi misterioz me irracionalen "Pi" brenda; këtë Ypi ta bëje Shkëmb, nuk dukej keq. Mbase daja kishte të drejtë. Me ndërrimin e mbiemrit ndoshta rreziqet do paksoheshin, vuajtjet do rralloheshin, do merrnim frymë lirisht, nuk do tmerroheshim ditët e kongreseve, nuk do trembeshim ditën e parakalimeve, nuk do na ngrinte gjaku ditën e votimeve. Në fund të fundit Edison Shkëmbi nuk tingëllonte keq. Por refuzimi i babait ishte i arsyeshëm. Babai e kishte të qartë se pikërisht pse ishte delikat, muzikor, artistik, Ypi ishte më i fuqishëm se Shkëmbi. Episodi me dajën dhe babain që refuzoi ta ndërronte mbiemrin, më mbeti në kujtesë si një varkë në mes të oqeanit që ulet e ngrihet, duket e zhduket, por nuk mbytet. E dija që në Durrës jetonte Esat Ypi. E dija gjithashtu se Esat Ypi nuk ishte kolonjar, pra nuk e kishim kushuri. Në botë Ypi kishte vetëm në Starje, në Kolonjë. Si ishte e mundur që Esati, pa qënë kushuriri ynë, ta kishte mbiemrin Ypi ?! Misterioziteti kërcënues i Ypit të rrethuar me internime, burgosje, pushkatime, varje në litar, aq sa na pengonte ne ta pyesnim Esat Ypin, pamundësonte dhe Esat Ypin të na spjegonte ne pse e mbante atë mbiemër. Mirë ne që rrota e proletariatit nuk na lejonte ta luanim bishtin nën mbiemrin llaftarisës, po Esat Ypi pse nuk e ndërronte vallë mbiemrin kërcënues por i kishte thënë byrum belasë dhe vazhdonte të vuante nën rrotën diktatoriale ? Më 20 janar 1920 duke dalë nga zyra, rrëfen Esat Ypi, vranë pabesisht ideatorin e Kongresit të Lushnjes, avokatin Abdyl Ypi. Në varrimin madhështor e mori fjalën babai i Esat Ypit, Asllani. Në fund të ligjëratës, Asllan Ypi i mahniti të pranishmit me fjalët; Abdyl Ypin e kisha mik për shpirt, e kisha vëlla. Ashtu si Abdyl Ypi, edhe unë për armë kam lapsin dhe librin, për ideologji patriotizmin, për Atdhe Shqipërinë, për mbrojtës të madhin Zot. I them dorës kriminale që e goditi Abdyl Ypin, juve që jeni këtu, përmes jush edhe gjithë shqiptarëve kudo ku janë, se prej këtij çasti unë nuk quhem më Asllan Demiri, por Asllan Ypi. Gjatë diktaturës Asllan Ypi i refuzoi këshillat e përsëritura të miqve për ta ndërruar mbiemrin, krejt ashtu si pas shumë vitesh babai im. Vizionari patriot Asllan, për tu vllazëruar me idhullin e tij Abdyl Ypi vrarë pabesisht nga një dorë kriminale, nuk bëri siç bëjnë në këto raste që presin gishtat dhe pinë gjakun e njëritjetrit, por diçka shumë më madhështore se gjakpirja, diçka unikale në historinë e botës dhe njerzimit, i mori Abdyl Ypit mbiemrin. Asllan Ypi vuajti, por mbiemrin sa të rrezikshëm po aq të bukur dhe të lavdishëm nuk e ndërroi kurrë, për asnjë arësye, për asnjë çmim. Mes shumë peripecish, në vitin e tretë të shkollës së lartë, Esat Ypit i thanë se si i biri i një tregëtari, pra si i biri i një armiku të proletarëve, nuk duhej të studionte por të shkonte të punonte puntor krahu. Esat Ypi u kthye në Durrës. Asllan Ypi mblodhi dëshmoi me dokumenta se nuk kishte qënë tregëtar, por mësues. Ngjarja tronditëse sa e tmerroi edhe e qartësoi Esat Ypin. Por sa më tepër vuante aq më i dashur i bëhej mbiemri i adoptuar prej babait vizionar Asllan Ypi. Esat Ypi mbeti përgjithmonë i biri i babait, njeri i nderuar, i respektuar, me vendosmëri të palëkundur. Mbiemrin Ypi nuk e ndërroi Asllani që e kishte të huazuar, edhe po ta varje. Nuk e ndërroi babai im që e kishte të vetin, edhe po ta vrisje. Nuk e ndërroi Esati që e trashëgoi nga Asllani, edhe po ta pushkatoje. Nuk do ta ndërrojë kurrë, askush, për asnjë arësye. Ypi vuajti. Ypi u rropat. Ypi u përpëlit. Por Ypi nuk dha, dhe kurrë nuk do japi shpirt. Ypi nuk është mbiemër. Ypi është Frymë. Për inat të hyzmeqarëve qëllimi i vetëm i të cilëve është të bëhen bejlerë, Ypi që Bej ka qënë, Bej është dhe Bej do jetë, do trashëgohet pambarimisht nga ata që e kanë dhe do huazohet pafundësisht nga ata që e adhurojnë, nga brezi në brez, denbabaden.