Transmetuar më 09-08-2019, 09:40

Në vijim të operacionit të koduar “Plazh i lirë” për lirimin e hapësirave të zaptuara, ka vijuar në Himarë, Pogradec dhe Durrës, ka liruar rreth 3600 m2 plazh të zaptuar në mënyrë të paligjshme.

Kështu janë proceduar penalisht pesë administratorë subjektesh si dhe katër zyrtarë bashkiakë.

Kështu Policia e Vlorës ka liruar një hapësirë zonë të mbrojtur në Plazhin e Gjipesë- Himarë, e cila shkon deri në 3000 m2, si dhe rreth 600 metra në Potam e Qeparo. Në total lirohen 3600 metër katrorë plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme.

Sekuestrohen rreth 200 shezlongë dhe 100 çadra plazhi, të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike.

Procedohen 4 administratorë subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” “Moslëshimi i kuponit tatimor” dhe “Pushtimi i tokës” dhe një zyrtar në Bashkinë e Himarës.

Komisariati i Policisë Himarë në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe forcat e FNSH Fier, kanë ushtruar kontrolle në subjektet që ushtrojnë aktivitet biznesi në zonën e bregdetit përgjatë plazhit të Himarës (Gjipe, Potam dhe Qeparo). Nga ky kontroll rezultoi se katër subjekte tregtare ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e “Stacionit të plazhit” pa paguar detyrimet financiare dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Himarë. Në përfundim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit Ll. Sh., M.Dh., F.B. dhe A.Z., me detyrë administratorë të këtyre subjekteve.

Po gjatë operacionit, Policia procedoi penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasin L.M (Drejtor i Drejtorisë së Tatim Taksave pranë Bashkisë Himarë) pasi dyshohet se ka lejuar dy nga këto subjekte tregtare të ushtrojë aktivitetin në plazh pa u pajisur me kontratë qiraje në Bashki dhe pa kupon tatimorë, duke mos vepruar në funksion me detyrën e tij.

Operacioni ka vijuar edhe në Pogradec ku janë proceduar penalisht për “Shpërdorim detyre” tre inspektorë të Drejtorisë së Tatim Taksave në Pogradec, konkretisht shtetasit: G.L., A.P., dhe E.B., banues në Pogradec, të tre me detyrë inspektorë kontrolli në Drejtorinë e Tatim Taksave në Pogradec, pasi nuk kanë ushtruar kontrollin e nevojshëm në disa subjekte private të cilat kishin lëshuar me qira më shumë shezlongë, sesa iu kishte miratuar me leje Bashkia Pogradec, duke zënë hapësira publike në zonën e plazhit.

Në vijim të operacionit, në Durrës tek shkëmbi i Kavajës, gjatë kontrollit në një plazh privat u konstatuan rreth 160 shezlongë në administrim nga shtetasja D.D., e cila nuk lëshonte kupton tatimor. U procedua penalisht shtetasja D.D., për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. /a.y/noa.al