Transmetuar më 10-08-2019, 18:52

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë një takimi në Mallakastër ka deklaruar se populli ka të drejtën ta marrë në dorë zgjidhjen me të gjitha format dhe mënyrat që i gjykon sipas tij të përshtatshme për të rikthyer demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Gjatë takimit me strukturat e PD-së në Mallakastër, Basha u shpreh se kapja e pushtetit vendor me dhunë nga banda në pushtet është një hap fatal.

“Popullit sovran i lind e drejta t’i përgjigjet këtij pushteti me të njëjtat mënyra dhe të mbrojë me të njëjtat mënyra kushtetutën dhe ligjin, në Mallakastër, në Fier, në Durrës, në Elbasan, në të gjithë Shqipërinë, por mbi të gjitha në Tiranë, atje ku paligjshmëria ka hedhur rrënjët, atje ku hajdutëria dhe kriminaliteti janë ngritur në fron. Atje, popullit sovran, nëse nuk i hapet rrugë zgjidhjes politike, zgjidhjes që çdo vend tjetër i rajonit e ka patur në kushte akoma më të lehta sesa kriza e sotme shqiptare, një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme, atëherë popullit sovran i lind e drejta ta marrë në dorën e vet zgjidhjen, me të gjitha format, mjetet dhe mënyrat që i gjykon të përshtatshme për të rivendosur demokracinë dhe drejtësinë”, u shpreh Basha.

Basha gjithashtu gjatë fjalës së tij paralajmëroi se do të ndëshkohen ata që kanë shkelur Kushtetutën pas dekretit të Presidentit për anulimin e 13 qershorit.

“Mos harroni, duke nisur nga data 11 qershor çdo qindarkë e taksave të shqiptarëve që është harxhuar për procesin kriminal dhe fals të 30 qershorit, është dëm ekonomik. Për çdokënd që ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës, ligji është i qartë. Ju siguroj që me qeverisjen e re dhe prokurorinë e çliruar nga kapja, gjithsecili prej tyre do të marre atë që meriton para ligjit”, tha ai.