Transmetuar më 10-08-2019, 21:29

TË NDERUAR LEXUES Kurban Bajrami është festa e të gjithë atyre që heqin petkat e kësaj bote dhe veshin ihramet e bardhë si bora; që kalojnë në botët metafizike gjatë tavafit, që të vendosur në rreshta nëpër xhami, ndihen në audiencën e Krijuesit, që i afrohen Krijuesit me tekbire dhe kurbane, që më salavatet bëjnë të ndjejnë në mesin e tyre Pejgamberin a.s. Kjo festë është dita kur shejtanët marrin atë që meritojnë, gurët. Në këtë festë historia dhe adhurimi janë të bashkuara, të shkrira në një të vetme. Çfarë sinqeriteti e bëri babain (Ibrahimin a.s.) të mos ngurrojë të flijojë djalin e vetëm?! Çfarë nënshtrimi ai që u kuptua madje edhe nga thika, e cila, duke dalë nga ‘natyra’ e vet, nuk e preu Ismailin?! Feja jonë na mëson se asnjë popull, i cili është i përçarë e i ndarë, jo kompakt e jo dashamirës me vetveten dhe për të cilën dashuria, mëshira dhe vëllazërimi nuk janë veçse nocione të vdekura, nuk mund t’i bëjë ballë stuhive asimiluese. Bajramet tona do të jenë me të vërtetë bajrame, vetëm atëherë kur besimi ynë në Zotin Një do të takohet në zemrat tona me dashurinë për kombin dhe njëri-tjetrin, mëshirën e vëllazërimin. Në të kundërt, bajramet tona do të vazhdojnë të jenë të zbehta, sytë tanë do të vazhdojnë të shohin përdhe, shpirtrat tanë do të vazhdojnë të mbushen me dhimbje e trishtim. Ky bajram është një rast i mirë që ne të korrigjojmë gabimet tona në raportet me të tjerët, të ndryshojmë sjelljet tona, si dhe të bëjmë një zbritje në thellësinë e ndërgjegjes sonë individuale dhe kombëtare. Urojmë besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen: GËZUAR KËTË FESTË TË BEKUAR. Paçi mirësi e begati dhe Zoti jua pranoftë kurbanet. Zoti e bekoftë kombin dhe Atdheun tonë!

/Drita Islame/