Rama, mesazh për drejtuesit e PS: Administratorët, jo injorantë dhe batakçinj. Raport edhe për drejtorët e djathtë
Transmetuar më 11-08-2019, 19:33

Edi Rama u ka dërguar një mesazh drejtuesve politikë të qarqeve ku u kërkon që në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Partisë Socialiste, në fund të gushtit, duhet të sjellin propozimet për stafin politik, nënkryetarët dhe administratorët.

“Një nënkryetar duhet të jetë medoemos grua dhe kjo vlen edhe për bashkitë e majta – kush s’e ka do ta gjejë e ta vendosë”, thuhet në mesazh.

Kryeministri tregon edhe profilin që duhet të kenë administratorët e rinj.

“Profili i administratorëve duhet të jetë profil shërbëtor i komunitetit, jo profile të fortësh, injorantësh, batakcinjsh, feudalësh partiakë! Zgjidhja e tyre duhet të mirëpritet jo thjesht nga partia e zonës, por nga komuniteti i zonës dhe më mirë të mërzitet partia se sa komuniteti! Mbajeni parasysh që nuk kam për të pranuar kandidatura nga ato tipiket që dredhin zinxhir se medemek marrin vota! Mos të kemi llafe për këtë ju lutem”, shprehet Rama, transmeton Top Channel.

Ai kërkon nga stafi i PS edhe një raport për drejtorët në bashkitë e djathta.

“Po ashtu një raport për drejtorët aktualë në bashkitë e djathta, formimi profesional, niveli i militantizmit, lidhjet nepotike dhe niveli i punës së tyre konkrete në bashki. Po ashtu, një listë propozimesh (minimumi dy për një vend) për zëvendësues eventualë, mundësisht të konsultuar paraprakisht me deputetët, asnjë lëvizje deri atë ditë”, shkruhet në mesazh.

Më tej, Rama shton: “Njëkohësisht, secili të përgatisë edhe një raportim të përmbledhur të situatës, nevojave, problemeve kryesore. Këto për momentin. Datën dhe një agjendë të plotë të takimit do ta merrni nga Sekretari për Koordinimin e Këshillave Drejtues të Rajoneve.”

Në mesazh, Rama ka edhe një merak paraprak: “që mos t’i ngrini mendjen kujt: asnjë nga ata që kanë qenë kryetarë komunash përpara 2015-ës në bashkitë e djathta, mos ma sillni si propozim për administrator! Janë të nderuar e të respektuar për kontributet e tyre, por mos harroni mesazhin e 30 qershorit, populli, pavarësisht kush ka votuar e kush jo, nuk e ka mbështetur rrugën që zgjodhëm për të majtën, por për të drejtën! Kjo do të thotë ndër të tjera se jo vetëm s’duhet të japim shenja që lexohen si mbyllje brenda gardhit tonë, por duhet të bëjmë çmos që shenjat që japim me vendimet tona, të kuptohen si vullnet hapjeje e gjithëpërfshirjeje – me njerëz të ditur të edukuar, të respektuar, të cilët mund të të mos kenë sjellë vota, sepse nuk kanë qenë të angazhuar direkt për shkak të mbylljes së partisë ndër të tjera, por që mund të na sjellin shumë më tepër vota në 2021-shin se sa të tjerë që duken sikur janë të vetmit, por nuk janë!”

Kryeministri e mbyll mesazhin me një thirrje për drejtuesit politikë të PS: “Dhe mos harroni: PS fitoi për ju në 30 qershor. Ju duhet të bëni gjithçka që PS të fitojë për Shqipërinë në qershor 2021! Kjo është në themel të krijimit të këshillave drejtues të rajoneve.”

Loading...
Loading...